Bushati, takon homologun e Azerbajxhanit: TAP, mundësi të madhe për ekonominë shqiptare

Në kuadër të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u takua në Nju Jork me  Ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Elmar Mammadayarov .Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm vendimin strategjik të gazsjellësit TAP, si një mundësi të madhe për ekonominë shqiptare dhe përfshirjen e vendit në rrjetin ndërkombëtar të gazsjellësve. Intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe  lëvizja e lirë e njerëzve, u vlerësuan si prioritete të raporteve dypalëshe.Pala Azere shprehu interes në gazifikimin e Shqipërisë, si dhe vlerësoi rolin e vendit tonë jo vetëm si pikë transiti, por dhe si një pikë e rëndësishme shpërndarjeje për të gjithë rajonin. Projekti TAP u vlerësua si një model i mire i bashkëpunimit ndër-rajonal.Gjithashtu Ministri Bushati, ka takuar edhe Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenise, Karl Erjavec.Të dy Ministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve anëtare të NATO-s, ku spikat mbështetja e Sllovenisë në procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë. U diskutua mbi thellimin e raporteve në nivelin politik dhe intensifikimin e raporteve ekonomike me interes për të dy vendet nëpërmjet forumeve ekonomike dypalëshe.Zhvillimet ne rajon ishin pjesë e bisedës ku u vlerësua marrëveshja Kosovë-Serbi, si dhe ndërtimi i një fryme konstruktive për mbarë rajonin në rrugën e Integrimit Evropian. Për të dy vendet bashkëpunimi rajonal përbën interes të veçantë dhe roli mbështetës i Sllovenisë ka qene tepër konstruktiv në nismat rajonale si Samiti i Brdos.Ministri Erjavec shprehu mbështetjen e Sllovenise ndaj vendit tonë në procesin integrues. Ai pranoi me kënaqësi ftesën e Ministrit Bushati për të vizituar Tiranën.Ministri Bushati, gjithashtu ka takuar Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.Në kuadër të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati u takua në Nju Jork me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, z.Miroslav Lajcak.Homologët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe konfirmuan angazhimin për te intensifikuar dialogun ne nivel politik. Ministri Bushati falënderoi Ministrin Lajcak për mbështetjen që ka dhënë Sllovakia ndaj Shqipërisë ne rrugën e Integrimit Evropian. Homologu Lajcak ofroi gatishmërinë e Sllovakisë, si një vend mik i Shqipërisë, për të asistuar teknikisht dhe me burime njerëzore vendin tonë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.Ministri Bushati siguroi Ministrin Lajcak për vendosmërinë e qeverise se re për te institucionalizuar dhe depolitizuar procesin e integrimit evropian, duke e bërë atë një proces gjithë përfshirës. Ministri Lajcak ftoi Ministrin Bushati për një vizitë zyrtarë ne Bratislavë.