Rama zbaton kodin me….veten. Në faqen e KM, çensurohet fjala për minoritetet
“Ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët”.Kjo është deklarata që shkaktoi reagimin e ashpër të opozitës shqiptare. Ndërkaq stafi i kryeministrisë me zellin për të pasqyruar në faqen on line të gjitha aktivitetetet e kryeministrit të ri, ka publikuar menjëherë takimin e kryeministrit Rama me presidentin e Maqedonisë, George Ivanov. Por pas reagimeve që erdhën nga opozita por edhe nga shqiptarët në Maqedoni, e kanë parë të udhës ta heqin këtë fjali.Në videon prej 11 minutash të konferencës së përbashkët, Ramës i pritet fjala në mes dhe 13 sekondat e deklaratës: "që ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët", janë fshirë.Fjala e kryeministrit pritet pa kuptim dhe vijon pa kuptim, në përpjekje për të "fshehur" atë që opozita e konsideroi gafë të rëndë.Edhe pse është fshirë në faqen zyrtare të Kryeministrisë, tashmë kjo deklaratë edhe pse kaq e shkurtër, vetëm 13 sekonda, e ka dhënë efektin e saj. Opozita në Tiranë e ka dënuar ashpër, ashtu si edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni .