Kreshnik Çollaku: Bushati “zbuloi ujin e nxehtë”, lideri i opozitës është trajtuar me status

Ish zv.ministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku, me anë të një publikimi në rrjetin social “Facebook”,ka reaguar ndaj Ministrit të ri të Jashtëm, Ditmir Bushati.Në postimin e tij, Çollaku ka reaguar ndaj njoftimit se Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka autorizuar trajtimin në rang ministri të kreut të opozitës.“Njoftimi i Ministrit të ri të Jashtëm, se ai paskësh autorizuar trajtimin në rang ministri të kreut të opozitës, nëse nuk buron nga mosnjohja dhe padija në punët e ministrisë, është një bllof banal.E vërteta është se kjo është një normë e vendosur prej kohësh dhe një praktikë e kahershme në trajtimin e kreut të opozitës, nga të gjitha organet shtetërore, përfshirë ceremonialin, sigurinë e personaliteteve dhe shërbimin diplomatik.Z. Bushati, nëse merr pak kohë të informohet në Ministri, mund të gjejë pa fund dokumentacion ku provohet ky fakt. Lideri i opozitës është trajtuar me status, njëlloj privilegji protokollar si çdo qeveritar tjetër, në çdo përfaqësi tonën nëpër botë, sa herë e ka kërkuar këtë shërbim. Ky nuk ka qenë një favor, por një detyrim i përfaqësive dhe diplomatëve tanë kudo në botë, detyrim i cili në çdo rast është përmbushur me korrektesë si detyrim profesional e jo si sjellje mëshirëmadhe ,siç përpiqet ta marketojë Ministri i ri.Nëse Ministri nuk ia ka ngenë tu futet shkresave të shkuara, mjafton të pyes kolegët e vet deputetë, dje opozitarë e sot në pushtet, përfshirë dhe kryetarin e tij, se si janë shërbyer e asistuar sa herë kanë udhëtuar e kërkuar këtë asistencë nga përfaqësitë tona diplomatike.Ndaj miqësisht i uroj ministrit të ri, të provojë ta rinisë me këmbë të mbarë punën, duke sjellë diçka të re e të vlefshme. Rasti në fjalë, është si të zbulosh ujin e nxehtë”, shkruan Çollaku në “Facebook”.