Tiranë, shkatërrohet punishtja e falsifikimit të dokumenteve, në pranga 46-vjeçari
Shkatërrohet punishtja e falsifikimit të dokumenteve në kryeqytet. Vetëm pak ditë pas një operacioni të kësaj natyre të zhvilluar edhe në Greqi ku u arrestuan 3 shqiptarë, Njësia e Antikrimit Ekonomik në Tiranë ka shkatërruar një bazë të falsifikimit të dokumenteve në zonën e njohur si “Kodra e Diellit” në kryeqytet, në ambientet e shtetasit Azem Tahiri, nga ku në garazhin e tij u gjetën dhe u sekuestruan 16 makineri shtypshkronje, që shërbenin për stampime të ndryshme dhe njëra prej tyre lazer print ofset, që të gjitha pajisje profesionale. Po ashtu u gjetën dhe sekuestruan dhe tre paleta me letra format A4 dhe A3 e plastifikuar, si dhe plastikë.Policia bën me dije se shtetasi Azem Tahiri është arrestuar në Greqi, më datë 12 shtator 2013, së bashku me shtetasit Panajot Bilbil Bare, vjeç 46, banues në Berat dhe Eduard Zeneli, vjeç 46, banues në Ksamil të Sarandës. Falsifikatorët kishin gjetur treg në Shqipëri, por edhe në Greqi, sa i takon dokumtave zyrtare të falsifikuara.Ndërkaq, Antikrimi Ekonomik në bashkëpunim me forcat speciale “Shqiponja”, kanë zhvilluar një tjetër operacion policor tek zona “Ish-restorant Durrësi” në Tiranë, ku gjatë operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi një punishte që falsifikonte detergjentë.Gjatë operacionit u sekuestruan 400 litra detergjentë dhe u arrestua shtetasi Arben Dragoni, 43 vjeç.Ndërkohë, nga ana e policisë vazhdojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjorë të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve.