Interkonjeksioni me Kosovën, Ambasadori gjerman: Nis brenda vitit

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës do të nisë brenda këtij viti. Lajmi konfirmohet nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffmann pasi ka inspektuar zbatimin e disa investimeve gjermane në veri të vendit"Unë kam dëgjuar që në të shkuarën ka pasur disa probleme mes dy palëve dhe për shkak të këtyre është humbur një fare kohe, por tani është përmbyllur tenderi i dytë dhe të gjitha etapat janë kaluar. Tani ne shpresojmë shumë që ky projekt të gjejë mbylljen e suksesshme sepse është shumë i rëndësishëm. Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë e re dhe besojmë se nuk do të na dalin më kleçka rrugës në lidhje me realizimin e këtij projekti”- tha Hoffman.Ambasadori vlerëson rotacionin politik në vend dhe garanton se Gjermania do të mbështesë fort proçesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas tij, qeveria e re do të hasë vështirësi në menaxhimin e financave publike, pasi arka e shtetit është dorëzuar bosh dhe qeverisë së re do t'i duhet të ndërmarrë politika të zgjuara për të mos lejuar thellimin e krizës ekonomike."Gjermania e mbështet në mënyrë aktive integrimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian. Shqipëria është shumë afër integrimit të sigurt në Komunitetin Europian. Ne jemi shumë aktiv në lidhje me këtë proçes. Unë vetë nuk e di cila do të jetë përgjigjia që do të marrë Shqipëria, por di që vendi juaj ka bërë progres. Janë 12 kritere për tu përmbushur, Shqipëria një pjesë të tyre e ka përmbushur, ka edhe disa pika për të realizuar, duhet të presim progres raportin e BE-së. Kur u prezantua programi i qeverisë së re e dëgjova me hollësi fjalën e Ramës, ka disa pika që shkojnë në drejtimin e duhur, si shteti ligjor dhe zhvillimi ekonomik i vendit, siç është edhe hapja e vendeve të reja të punës. Do të vijoja një pikë tjetër që është fqinjësia e mirë me vendet e rajonit, duke zhvilluar edhe politikat për të vijuar proçeset integruese në Bashkimin Europian”theksoi ai.Për dy ditë, Ambasadori Gjerman, vizitoi hidrocentralin e Vau Dejës, komunën Qelëz në rrethin e Pukës, ku ndoqi nga afër punën që është bërë në impiantin e përpunimit të ujrave në Shirokë dhë një sërë pikash të tjera në të cilat Gjermania ka investuar ne qarkun e Shkodrës.