Në Kosovë ekziston trend negativ drejt nacionalizmit
Komiteti Këshillues për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, pranë Këshillit të Evropës, ka publikuar opinionin e tretë për Kosovën, së bashku me komentet e paraqitura nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK.Opinioni vë në pah se Kosova ka vazhduar të shënojë përparim në zbatimin e Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.“Besimi dhe mirëkuptimi midis komuniteteve është zhvilluar në disa komuna, ku autoritetet kanë konsultuar nga afër përfaqësuesit e komuniteteve dhe kanë bërë përpjekje që në mënyrë efektive të zbatojnë politika relevante dhe korniza ligjore, që lidhen me sigurinë dhe promovimin e qasjes së barabartë në edukim dhe punësim”, thuhet në opinion.Megjithatë, ai thekson se kthimi vullnetar i të zhvendosurve ka rënë dhe se është i pamundur në disa zona për shkak të shqetësimeve për sigurinë.Sipas opinionit, ekziston një trend negativ drejt nacionalizmit dhe krijimit të një shoqërie homogjene, sidomos në qendrat urbane dhe në mesin e të rinjve, me tolerancë të kufizuar për gjuhët, kulturat, traditat dhe identitetet pakicë.Iniciativat e pakta ekzistuese për të krijuar platformë për interaksion dhe dialog midis komuniteteve nuk marrin mbështetje të vazhdueshme nga autoritetet, thuhet në opinion.Po sipas tij, gjeneratat e reja nuk mësojnë dhe nuk përdorin të dyja gjuhët zyrtare, ndërsa përpjekjet për të zhvilluar një identitet të përbashkët civil, që bazohet në vlerësimin e diversitetit, janë të pamjaftueshme.“Pjesëmarrja e komuniteteve pakicë në proceset vendimmarrëse për të gjitha çështjet që i shqetësojnë, mbetet e pamjaftueshme”, thuhet në opinion.