Sequi takon Metën: Pres një Kuvend larg konfliktit politik
“Brukseli pret të shikojë një parlament me një forcë shumice konstruktive por dhe opozitë konstruktive dhe të fortë “.

Kështu deklaroi ambasadori i BE i akredituar në vendin tonë Ettore Sequi, gjatë një prononcimi për mediat pas takimit që pati me kreun e ri të pralamentit Ilir Meta në Kryesinë e Kuvendit.

“Ishte një takim konstruktiv dhe shumë i përzemërt. E urova zotin. Meta për zgjedhjen e tij në postin e kreut të Parlamentit dhe për angazhimet pozitive në rrugën drejt BE-së. Shpresojmë dhe besojmë që ky Parlament do të jetë një parlament që do të nxisë më tej dialogun e konstruktivizmin brenda partive. Shpresojmë që bashkëpunimi për arritjen e integrimit do të jetë pika lidhëse mes forcave të opozitës dhe maxhorancës” u shpreh ai.
Ndërsa vlerësoi angazhimin e Kryeparlamentarit në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, Sequi apeloi për nxitje të bashkëpunimit mes mazhorancës e opozitës në funksion të arritjes së objektivit madhor kombëtar, integrimit në BE.

“Shpresojmë që pas 23 vitesh të përpjekjeve të përbashkëta shumica dhe opozita do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe shpresojmë që ky bashkëpumim të kurorëzohet së shpejti. Roli i kryetarit të Parlamentit është shumë i rëndësishëm. Besoj se Meta me vizionin e pikëpamjet e tij do të ndihmojë në këto arritje. Brukseli do të shikojë një Parlament me një forcë shumice konstruktive por dhe opozitë konstruktive dhe të fortë. Më lejoni të theksoj që ne premtuam në emër të KE të mbështesim për të bërë të mundur një parlament të mirë”- tha Sequi.
Lidhur me vizitën e tij të hënën në Bruksel, ku do të jetë edhe vetë kryeministri Edi Rama, ambasadori i BE-së tha se do të dërgonte “ndjesitë shumë pozitive”.
Nga ana e tij, kreu i ri i Kuvendit vlerësoi se palët politike i kanë të gjitha mundësitë për të ecur më shpejt në rrugën e një bashkëpunimi të qëndrueshëm.
“E sigurova zotin Sequi se si kryetar i Kuvendit do punoj për të krijuar një klimë sa më konstruktive që duhet të rrezatojë edhe jashtë tij, për bashkëpunimin mes të gjitha forcave, sepse të gjithë e dinë që mungesa e bashkëpunimet deri tani ka qenë pengesa për arritjen e objektivave madhore si marrja e statusit kandidat në BE.Të gjitha forcat politike kanë një qëllim, integrimin në BE”u shpreh Kryeparlamentari.

Meta gjithashtu e falenderoi Sequin për ndihmën e BE ndaj vendit, por dhe parlamentit në mënyrë të veçantë, ndërsa shprehu angazhimin e tij si kryetar Kuvendi për vazhdimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
“Për mua ishte kënaqësi që takimin e parë si Kryetari i Kuvendit ta zhvilloja me Ambasadorin e BE, zotin Ettore Sequi, duke e falënderuar për ndihmën që BE i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë vendit dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe duke e siguruar se në këtë detyrë të re do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me delegacionin e BE dhe gjithë institucionet e tjera në mënyrë që të forcojmë marrëdhëniet e parlamentit me institucionet përkatëse në BE”, tha Meta.