Azem Hajdari te “Nënë Shqipëri”, Dëshmori i Atdheut “bashkon” politikën
Heroi i Demokracisë Azem Hajdari do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.Personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit kanë kryer homazhe për nder të tij Heroit të Demokracisë.Homazhe kanë zhvilluar Presidenti Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kreu i bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, Sali Berisha, 3 ish-presidentët Bamir Topi, Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, 4 ministrat e kabinetit "Rama" Edmond Haxhinasto, Ilirjan Celibashi, Mimi Kodheli dhe Lindita Nikolla, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së Ettore Sequi, si dhe deputetë të mazhorancës dhe të opozitës.





Kreu i FRD-së, Bamir Topi pas homazheve ka deklaruar se ndihet i emocionuar që Azemi do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve.“Fat i jetës sime që kam njohur Azem Hajdarin, njeriu më i hapur nga ata që kam njohur të Partisë Demokratike, shumë i guximshëm, dinjitoz, kurajoz, pa komplekse, që dinte të bënte edhe trimin edhe diplomatin. E përkujtoj me shumë mall, respekt, e vlerësim, ai do të mbahet mend si një njeri që do të frymezoje të rinj e të reja, e ata që duan t’i hyjnë rrugës së politikës me dinjitet” tha Topi.