Terzi-Panariti: Politika të angazhohet për procesin e integrimit

Ministri i Jashtëm i Italisë Giulio Terzi ka deklaruar se Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha rekomandimeve të vendosura nga ana e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.Në një takim në Bruksel me ministrin e jashtëm shqiptar Edmond Panariti, Terzi ka rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë por shtoi se është e rëndësishme që vetë klasa politike shqiptare të angazhohet fuqimisht në këtë proces.Një tjetër çështje e rëndësishme që u trajtua gjatë këtij takimi ishte bashkëpunimi midis dy vendeve në drejtim të realizimit të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP).Ministri Panariti e njohu homologun e tij italian me përpjekjet që po bën pala shqiptare në drejtim të plotësimit e të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor që ka të bëjë me këtë vepër të rëndësishme për vendet e përfshira në të.Të dy bashkëbiseduesit shprehën gadishmërinë e qeverive respektive, për të përfunduar sa më shpejt që të jetë mundur procedurat e nevojshme  për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndëqeveritare midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë për gazsjellësin TAP.Në përfundim, të dy ministrat diskutuan lidhur me situatën aktuale në Lindjen e Mesme, ku shprehën shqetësimin mbi përshkallëzimin e tensionit në Rripin e Gazës dhe nënvizuan nevojën e ndërprerjes së dhunës dhe rinisjes së dialogut mes palëve të përfshira në konflikt.