Berisha apel Ramës: Të takohemi sot për të diskutuar për 3 ligjet
Ndërsa sot përfundon afati i vendosur për miratimin e tre ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat, kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish apel kreu të opozitës Rama të takohen për të biseduar për këto ligje.Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se është i disponueshëm deri në orën 24:00 të takohet me Ramën për të diskutuar për 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli.“Unë shfrytëzoj këtë rast t`i bëj apel zotit Rama që në një akt përgjegjësie të lartë të frymëzuar nga përpjekjet e shqiptarëve që sollën këtë vend në 100-vjetorin e pavarësisë si një vend të lirë të takohemi në çdo kohë dhe kudo që do të dëshirojë për të diskutuar për tre ligjet që kërkon KE-ja. Unë jam disponibël deri në orën 24:00 të kësaj dite, të takohemi të vendosim, të shqyrtojmë në çdo nivel që dëshiron zoti Rama, çdo propozim, çdo amendament të lidhur me ligjet që duhet ti votojmë në Parlament” tha Berisha.Kryeministri Berisha ka ripërsëritur ofertën për mocion për qarkun e Fierit ndërsa ka theksuar se kreu i PS-së nuk ka dhënë asnjë zgjidhje konkrete përveç vendimeve të Gjykatave."Uroj që këto pak orë që kanë mbetur të ndryshojnë mendjen e Ramës. E vërteta është se zoti Rama s`ka ofruar asnjë zgjidhje përveç referimit të vendimit të gjykatave të cilat prerë kanë lënë ekzistues kryetarin aktual derisa të shqyrtohet në themel çështja. Oferta ime për mocion është e ndershme” tha Berisha.Sipas tij, këtë votim e presin shqiptarët e të gjitha brezave, por e vërteta është edhe të gjithë ata shqiptarë që sakrifikuan cdo gjë, për më të mirën e shqiptarëve në rast se do të ishin një votë atë do e kishin për votimin.“Nuk ndërtohet historia me bllokim as me inate,për shkakun e vetëm se beson se kështu do dëmtosh kundërshtarin politik. Ftoj Ramën të jetë konsistent në premtimin e tij se grupi do votojë reformat që do të kërkojë procesi i integrimit”- tha Berisha.Ndërkohë kryeministri Berisha iu referuar sot edhe buxhetit të vitit 2013 që sipas tij do të ketë si prioritet infrastrukturën rrugore."Buxheti për vitin 2013 është 409 miliard lekë dhe përbën një nxitje të fuqishme të punësimit. Buxhti është i bazuar në një rritje reale prej 4 përqind në vitin e ardhshëm. Në këtë buxhet 500 miliard dollarë do të shkojnë për rrugët e vendit. Rruga është korridori i zhvillimit, së bashku me shkollën dhe energjinë. Prandaj dhe ne do të vazhdojmë të ndërtojmë rrugët ” tha Berisha.Sipas kryeministrit një tjetër prioritet për buxhetin e vitit të ardhshëm do të jetë edhe rritja e rrogave dhe pensioneve.