Ekspozita e PS në Preshevë, Rama:Flamuri, shtëpia e gjithë shqiptarëve
Është pritur me një entuziazëm dhe dashuri të veçantë ekspozita e hapur nga Partia Socialiste, “Flamuj Shqiptarë, Itinerar historik 1912-2012”, në Luginën e Preshevës, ashtu sikurse edhe vizita e kryesocialistit Rama në këtë trevë shqiptarësh, që flamurin kombëtar vazhdon ta vlerësojë si gjënë më të shtrenjtë.I shoqëruar nga deputeti Pandeli Majko, Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, kryesocialisti Rama është pritur në hyrje të gjimnazit “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë nga një masë e madhe njerëzish, të cilët kishin dalë për të përshëndetur ardhjen e tij në këtë qytet si dhe për të parë ekspozitën e hapur nga PS.Për të pritur delegacionin e PS kishin dalë edhe Kryetari i Komunës, Ragmi Mustafa, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, përfaqësues të Këshillit Komunal dhe përfaqësues të Këshilli Kombëtar për të drejtat e njeriut.Në çelje të ekspozitës, himni kombëtar i kënduar nga një grup nxënësish ka ngjallur emocione të veçanta te të pranishmit. Kryetari i Komunës i ka uruar mirëseardhjen kreut të PS-së, Edi Rama si dhe ka falënderuar për interesimin e veçantë që opozita i kushton kësaj zone, që ndonëse është e ndarë nga trungu i shtetit amë, mbetet një trevë shqiptarësh e lidhur fort shpirtërisht me Shqipërinë.Më pas fjalën e ka marrë përfaqësuesi i Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, i cili i ka dorëzuar Edi Ramës titullin e Mirënjohjes për kontributin e dhënë dhe angazhimin që ai ka pasur në mbështetje të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës.Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në fjalën e tij është shprehur se ekspozita me flamujt shqiptarë në vite nuk mund të mos stacionohej në Preshevë, sepse flamuri mbetet atdheu ideal i shqiptarëve që sot e gjithë ditën e kanë të pamundur të jetojnë në një atdhe të përbashkët tokësor.“Kur vizatuam bashkë me miqtë në hartën e rrugëtimit të kësaj ekspozite stacionet njëra pas tjetrës drejt Vlorës në 28 nëntor jo vetëm që nuk mund të mos e fillonim nga lart, nga veriu i trojeve shqiptare në Prishtinë, por as mund të shmangnim këtë stacion këtu në Preshevë. Flamuri kombëtar, kjo fushë e kuqe me shqiponjën dykrenore ka qenë dhe mbetet atdheu ideal i shqiptarëve që sot e gjithë ditën e kanë të pamundur të jetojnë në një atdhe të përbashkët tokësor, por pa asnjë dyshim gjejnë tek ky atdhe ideal hapësirën e përbashkët të ëndrrave të shpresave dhe të dëshirave të tyre. Pandi tha diçka shumë të bukur për të dyja kokat e shqiponjës, ndërkohë që unë do të shtoja që në rrugëtimin 100 vjeçar të flamurit kombëtar që sot ju do të keni mundësi ta ndiqni qysh prej ditës kur Dedë Gjo Luli e ngriti atë jashtë trojeve të Shqipërisë zyrtare në Deçiç dhe deri në fund kur flamuri u çlirua nga simboli i regjimit komunist ka pasur vazhdimisht gjëra që i janë shtuar flamurit kurora princërore, mbretërore, shenja të pushtuesve, ylli i një ideologjie, por në fund ka mbetur ajo çka ishte në fillim shqiponja dykrenore”, ka thënë kreu i PS.Edi Rama ka rikonfirmuar qëndrimin për të binjakëzuar Korçën me luginën e Preshevës, por edhe për të mbështetur financiarisht disa nga projektet me rëndësi jetike për qytetarët e Luginës.