Invalidët pa pension, Totozani apelon Ministrinë e Punës dhe Financave: Zhbllokoni fondin
Vonesat në dhënien e pensioneve për personat me aftësi të kufizuar kanë sjellë sot edhe reagimin e institucionit të Avokatit të Popullit. Në një deklaratë për mediat, Avokatit të Popullit, konstaton se në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ka vonesa në lidhje me kryerjen e pagesës mujore të Aftësisë së Kufizuar. Nisur nga kjo situatë AP i bën thirrje publike Ministrisë së Punës dhe asaj të Financave të zhbllokojnë menjëherë fondet për pagesën e invaliditetit të personave me aftësi të kufizuar.“Institucioni i Avokatit të Popullit, me keqardhje konstaton sërish një problem të përsëritur në lidhje me pagesat e aftësisë së kufizuar. Në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ka vonesa në lidhje me kryerjen e pagesës mujore të Aftësisë së Kufizuar. Shqetësimet janë konstatuar nga ndihmëskomisionerët tanë në terrën, por na janë përcjellë edhe nga vetë përfaqësuesit e organizmave të këtyre personave. Nisur nga kjo situatë, i tërheqim vëmendjen në mënyrë publike Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si dhe Ministrisë së Financave, të realizojë menjëherë delegimin dhe çeljen e fondeve për këto pagesa. Personat me Aftësi të Kufizuara, dhe të drejtat e tyre përbëjnë një nga misionet më të rëndësishmë të institucionit të Avokatit të Popullit. Ata janë pjesë e rekomandimit 11, të përcaktuar nga BE për Shqipërinë, dhe në këtë kontekst por jo vetëm, zhvillimet në legjislacionin dhe politikat për personat me aftësi të kufizuara, si dhe zbatimi i tyre, kanë qenë objekt i diskutimeve, vlerësimeve dhe rekomandimeve të institucionit tonë” thuhet në deklaratë.Në vijim Avokati i Popullit ngre shqetësimin se personat me aftësi të kufizuar, mbeten ndër shtresat më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare, duke iu mohuar aksesi në shërbime. Në këto kushte, thekson AP, të gjithë strukturat shetërore duhet të angazhohen maksimalisht e të kenë prioritet çështjen e personave me aftësi të kufizuara, duke u siguruar kështu të drejta të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë.“Personat me aftësi të kufizuar, mbeten ndër shtresat më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare, duke iu mohuar aksesi. Shumica e personave me aftësi të kufizuara, lehtësirat publike dhe ato të transportit, por edhe informacioni, e kanë përgjithësisht shumë të vështirë për t’i aksesuar. Ata kanë pak shpresë për të shkuar në shkollë, për të gjetur një punë, për të patur shtëpinë e tyre, për të krijuar familjen e tyre dhe për të pasur fëmijët e tyre, për të shijuar një jetë sociale, apo edhe për të votuar” përfundon deklarata.