Pas tri ditësh protesta, dogana kosovare çliron tregëtarët shqiptarë
Pas tre ditësh është rikthyer normaliteti në pikën kufitare të Morinit ku më shumë se 150 subjekte biznesi protestonin kundër vendosjes së taksës prej 40 Euro për shërbimin e terminalit.Përfaqësuesit e biznesit janë takuar me shefin e doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna ku dhe kanë aritur marrëveshjen që të veprohet në përputhje me dispozitat ligjore që janë në fuqi."U pajtuam që të gjithë ata që i kanë autorizimet për proçedurat të thjeshtësuara, valide, do të vazhdojnë sipas autorizimeve që i kanë pasur. Të gjithë ata të cilëve ju kanë skaduar afatet ose i kanë të anuluara, të aplikojnë sipas dispozitave ligjore të kodit të doganave dhe akcizës. Dogana do t'i shqyrtojë të gjitha ato kërkesa për autorizime nëse i plotësojnë kushtet sipas kodit. Në rast se i plotësojnë kushtet do të autorizohen në rast se nuk i plotësojnë kushtet, do të proçedohet sipas dispozitave ligjore të mëtejshme, mirëpo ne u pajtuam që malli të fillojë të zhdoganohet", ka thënë Rafuna.Marrëveshjen e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i biznesit, Hysen Gashi."Që nga dita e sotme, proçedura e lëvizjes së mallrave do të lëvizë siç ka lëvizë deri më sot, në rregullshmërinë e arsyeshme ligjore. Do të thotë, që nga ky moment, do të fillojë edhe zhdoganimi i mauneve të cilat janë grumbulluar në pikën kufitare, mes Kosovës dhe Shqipërisë", tha Gashi.Menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes mes palëve, ka nisur edhe qarkullimi i automjeteve të bizneseve, të cilat prej tre ditësh qëndronin të palëvizura në pjesën neutrale të kufirit Shqipëri - Kosovë.