Ambasada e Kosovës bashkon Berishën dhe Ramën
Konferenca shkencore e organizuar nga Ambasada e Kosovës për rolin e Kosovës në pavarësinë e Shqipërisë ka ulur në një tryezë kryeministrin Berisha dhe shefin e opozitës, Edi Rama.Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si jetik rishqyrtimin e historisë kombëtare."Ne shqiptarët kemi nevojë dhe e kemi jetike të shqyrtojmë, analizojmë historinë tonë kombëtare e cila pavarësisht nga drithijet e saj është pa mëdyshje një nga më të suksesshmet në historinë e këtij kontinenti. Por të vërtetat janë për tu parë në sy. Ne erdhëm në këtë 100-vjetor si një komb i cili historinë e tij e kishte të bazuar në një falsifikim të tmerrshëm prandaj dhe të vërtetat historike duhe të vendosen në piedestralin e merituar" tha Berisha.Gjithashtu kreu i qeverisë ka vlerësuar edhe rolin e Kosovës në pavarësinë e Shqipërisë duke e cilësuar atë si vendin e ndërgjegjes kombëtare."Betejat e mëdha u zhvilluan në Kosovë. Kosova u shndërruar në djepin e ndërgjegjes kombëtarë, në zonën e themelimit të ushtrisë kombëtare shqiptare, në djepin e idesë së madhe të Shqipërisë etnike. Sot jemi në një cështje shumë thelbësore, roli i Kosovës në themelimin e shtetit shqiptar e në vazhdim, në rast se i referohemi kohës së kongresit të Berlinit do të gjejmë se Kosova ka rol të madh”tha Berisha.Sipas Berishës, duhet të bëhet gjithçka për t`i bërë kufijtë e parëndësishëm ndërsa shtoi se statusi i shqiptarëve nuk mund të jetë tjetër veçse i një kombi.“U deshën 100 vjet që të vijmë të lirë në këtë sallë, por sërish duhet të jemi të sinqertë me historinë tonë, asnjë shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit deri sot, nuk ka rënë për një ideal tjetër përvec se idealin e bashkimit kombëtar, të gjitha format e tjera janë të imponuara ndaj shqiptarëve, duhet të jemi të vërtetë me historinë tonë, me të ardhmen, detyrimi ynë madhor është përpjekja për realizimin e idealit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë”- tha Berisha.Ai ka theksuar se vendet kanë përpara një platformë, ate të integrimit në BE, në këtë realizohen objektivat më madhore të procesit të bashkimit kombëtar. “Masa të tjera shtesë, të cilat të njehsojnë tërësisht standardet tona e praktikat dhe të bëjnë që shqiptarët të ndihen mirë kudo që jetojnë, duke respektuar kufijtë aktual ndërkombëtare”- tha Berisha.Ndërsa kreu i PS-së Edi Rama ka theksuar se kombet serioze i kujtojnë jubiletë e tyre duke parë tek e shkuara e tyre.“I jam mirënjohës ambasadorit të Kosovës, që krijoi këtë mundësi , që duke hedhur një vështrim nga e shkuara të bëjmë një përpjekje për të ardhmen. Kjo është një përpjekje e ndarë e historianeve dhe politikës, kemi jo pak energji të konsumuara për shkak të politikanëve që përpiqen të rishkruajnë historinë dhe historianëve që e modelojnë sipas interesave politike”- tha Rama.Sipas Ramës, është gjëja më e lehtë që lavdinë e atyre që s’janë më ta përdorim për të mbuluar ato që mungojnë, me lavdinë e së shkuarës nuk mbulojmë boshllëqet që po i lëmë gjeneratat.“Frymëzimin që na sjellin ata që e sollën deri këtu flamurin kombëtar të cliruar nga kurorat princërore e mbretërore ta kthejmë në frymëzim për të realizuar amanetin tyre. Eshtë e lehtë të tundim flamurin e nacionalizimit për të çuar gjetkë vëmendjen nga problemet. Këtë flamur dhe këtë amanet që mishërohet në këtë flamur ta përkthejmë në politika dhe ndërveprim me njëri tjetrin që gjeneratës që vjen të mos u trashëgojmë plagët që thellohet si rezultat i çka kemi trashëguar nga një traditë e hidhur për bashkim”- tha ai.