LSI apel qeverisë: Krimi “Zot” i rrugës, merrni në kontroll territorin
Marrë shkas nga vrasja e vetëm një dite më parë në kryeqytet, Lëvizja Socialiste për Integrim ka apeluar qeverinë ende në detyrë të përmbushë me rigorozitet detyrat e saj kushtetuese deri në ditën e fundit të drejtimit të vendit. Përmes një konference për mediat, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili,tha se qytetarët çdo ditë e më tepër po ndjehen të pasigurtë në rrugët e vendit, ku vulgariteti, dhuna dhe vrasjet janë bërë zotër të vendit.“Rrahje ordinere, vulgaritetet, vrasjet në rrugët tona po vërehet si fenomen i zakonshëm. Vrasja e vetëm një dite më parë ishte qenë provë e qartë e një shteti dhe Ministrie përkatëse që po mungon në detyrat e saj plotësisht, kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të rrezikuar. Tërheqim vëmendjen që qeveria në ikje ka disa detyra kushtetuese për të përmbushur, janë detyrime të pashmangshme që duhet tu rrinë në kokë deri ditën e fundit të detyrës” tha ai.Ndërsa theksoi se shteti duhet të marrë në kontroll rendin dhe sigurinë në vend, Vasili shprehu vendosmërinë se qeveria e re do ketë një ndjeshmëri krejt tjetër ndaj këtij problemi.“Situata jashtë kontrollit e rendit duhet të marrë fund, retorikat opozitare e një opozite që është ende në qeveri duhet të marrin fund. Qeveria e re do ketë një ndjeshmëri krejt tjetër ndaj këtij problemi”deklaroi Vasili.I pyetur nga gazetarët lidhur me plotësimin e posteve të zëvendësministrave, Vasili nuk dha detaje të hollësishme, por garantoi të njëjtën frymë kompromisi me të cilën u ngrit dhe qeveria.“Zëvendësminsitrat janë pozicione që propozohen nga Kryeministri, është proçes që do plotësohet në javët që vinë pas betimit të qeverisë së re. Me atë frymë kompromisi që u ngrit qeveria, me të njëjtën frymë do plotësohen edhe këto pozicione të dyta".Rreth 38 zëvendësministra pritet të bëhen së shpejti pjesë e qeverisë së re të drejtuar nga Edi Rama. Pjesa më e madhe e tyre pritet të vijë nga listat e kandidatëve të PS-së. Lëvizja Socialiste për Integrim, e drejtuar nga Ilir Meta, pritet të përcaktojë në ditët në vijim edhe ndarjen e pjesës së mbetur të pushtetit mes saj dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës.Aktualisht LSI-ja është e vetmja nga 35 partitë aleate të së majtës, që ka arritur të përfaqësohet me ministër në kabinetin qeveritar. Përfaqësuesit e saj kanë përfituar plot pesë poste ministrash në kabinet dhe po kështu një tjetër përfaqësim i rëndësishëm pritet të jetë ai në nivel zëvendësministrash.Nisur nga rezultati që kjo forcë politike mori në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, ajo konsiderohet si një nga favoritet kryesore, krahasuar me aleatët e tjerë në kuadër të ndarjes së pushtetit.