Udhëtonte me të fejuarën, plagoset nga persona të maskuar 34-vjeçari

Një ngjarje e rëndë me pasojë plagosjen është shënuar rreth orës 22:00 të së shtunës në rrugën Nacionale Milot-Burrel, në afërsi të fshatit Bushkash të Komunës Ulëz. Sipas drejtuesit të mjetit, 34 vjeçarit, Agim Hajdini, një person i maskuar dhe i armatosur i ka zënë pritë, duke e sinjalizuar që të ndalonte.Hajdini shprehet se nuk i është përgjgjur kërkesës së personit të maskuar për ndalim, ndaj ai ka vazhduar rrugën bashkë me të fejuarën, e cila ndodhej në makinën e tij. I maskuari, i cili ishte i armatosur ka hapur zjarr ndaj mjetit me të cilin udhëtonte Agim Hajdini bashkë me të fejuarën e tij. Plumbat janë zbrazur drejt mjetit dhe kanë thyer xhamat dhe në anën e drejtuesit të mjetit.Plumbat e lëshuar drejt makinës kanë goditur edhe 34-vjeçarin. Ai nuk është ndalur, por me plagë në trup ka vazhduar rrugën për rreth 12 km që të arrinte në spitalin e Burrelit, por 4 km pa mbërritur ai nuk ka mundur ta drejtojë më automjetin dhe ka njoftuar policinë.Menjëherë uniformat blu të komisariatit Mat, kanë mbërritur në vendngjarje duke i dhënë ndihmën e parë, duke e transportuar për në spitalin e qytetit dhe grupi hetimor po merret me ngjarjen.Babai i Agim Hajdinit shprehet se ata nuk kanë konflikt me askënd, ndërsa sipas versionit të policisë ngjarja ka qenë një tentativë vrasjeje për hakmarrje, që lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2010 në rrugën Durrës-Tiranë, ku ka aksidentuar për vdekje oficerin e policisë, Pajtim Alstafa.