Përsëritet skenari për zvarritjen e gjyqeve/ Si gënjen avokati i pandehur i Veliajt

Sot në GJKKO u zhvillua seanca e radhës për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës me 13 akuza për 5 vepra të rënda Erion Veliaj.

Si një frikacak nuk u paraqit sërish në sallën e gjyqit për tu përballur me faktet dhe provat me të cilat është kapur në korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje të pasurisë dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli.

Avokati i pandehur në GJKKO me akuzë nga SPAK, Plarent Ndreca, avokati i të pandehurit tjetër Erion Veliajt, gjatë seancës së sotme ka deklaruar se, 24 fashikuj digjital nuk i janë vënë ende në dispozicion mbrojtjes.

Sipas avokatit të pandehur Plarent Ndreca nuk është zbatuar vendimi për tu njohur me aktet.

“Gjykata e themelit, para se të ndahej çështja, ka urdhëruar që Veliaj të njihet me të gjitha aktet. Ky vendim nuk është zbatuar. As unë dhe as Veliaj nuk kemi akses në prova, ende nuk kemi kopje. Kjo kohë, deri në seancën tjetër, duhet të përdoret për të na vënë në dispozicion provat digjitale”, ka thënë ndër të tjera Plarent Ndreca.

Në fakt kjo nuk është asgjë tjetër vetëm gënjeshtër dhe një justifikim për të zvarritur proceset gjyqësore.

Aktet e dosjes hetimore prej muajsh i janë vendosur në dispozicion Veliajt dhe mbrojtjes së tij.

Fillimisht iu vunë në dispozicion në mënyrë elektronike, i kërkuan të printuara. Gjykata pranoi kërkesën e tyre dhe materialet iu dorëzuan të printuara.

Çfarë ndodh tani?

Aktet hetimore i kanë në duar dhe thonë se u mungojnë 24 fashikuj.

Në fakt ato 24 fashikujt, me sa kuptohet qartazi nga qëndrimet e avokatit të pandehur Plarent Ndreca, janë aktet që i janë dhënë palëve të tjera.

Tani kërkojnë që të printohen dhe njëherë nga e para aktet që u janë dhënë të pandehurve të tjerë dhe t’i vihen në dorë të pandehurit Erion Veliajt që mbrohet nga i pandehuri Plarent Ndreca.

Për dijeni të të pandehurit në GJKKO me akuzë nga SPAK-u, i cili bën edhe rolin e avokatit të Veliajt, Plarent Ndrecës, me 24 korrik të vitit 2025 avokatët e kryebashkiakut i kanë marrë materialet hetimore.

Në 24 korrik i kanë marrë me USB, pra në formë digjitale, dhe prej muajsh bënë kërkesën t’i kishin këto materiale të printuara me pretendimin se nuk kishin s’i t’i lexonin, i pandehuri nuk kishte mundësinë për t’i aksesuar. Tashmë i kanë materialet hetimore edhe në formë digjitale, edhe të printuara.

Materialet i ka Erion Veliaj, i kanë marrë edhe avokatët e mëparshëm të tij, pasi kryebashkiaku ka shpikur taktikën e ndërrimit të avokatëve si justifikim për të zvarritur proceset gjyqësore.

Ai i ka ndryshuar avokatët duke nisur nga Ermir Beta, Artur Selmani, Artan Gjermëni, Valentina Teodoresku, së fundi edhe i pandehuri Plarent Ndreca, pa përmendur dhe studio ligjore lobuese etj.

Si rrjedhojë pretendimet e Plarent Ndrecës janë absurde.

Këto janë thjesht dhe vetëm taktika, makinacione, justifikime që bëhen për të shtyrë dhe zvarritur pambarimisht seancat gjyqësore./ Marrë me të njëjtin titull nga "CNA"