"Themel i fortë për të punuar mbi të"/ Kos: Reformat në drejtësi dhe SPAK hapin rrugën e re të negociatave Shqipëri-BE
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri–BE për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ajo ka vlerësuar reformat e ndërmarra në drejtësi, procesin e vetingut dhe ngritjen e institucioneve të reja si SPAK, duke i cilësuar si hapa që kanë ndikuar në forcimin e shtetit ligjor dhe në uljen e ndikimit politik në sistemin e drejtësisë.
Sipas saj, shtetet anëtare të BE-së kanë përcaktuar tashmë piketat përmbyllëse për kapitujt kryesorë të negociatave, që lidhen me shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo ka thënë se këto zhvillime hapin një fazë të re të negociatave dhe i japin mundësi Shqipërisë të ecë përpara drejt mbylljes së kapitujve, nëse plotësohen kushtet e vendosura.
Në fjalën e saj është përmendur edhe objektivi për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027, ndërsa është theksuar se kjo fazë kërkon punë të vazhdueshme dhe rezultate konkrete në zbatim të reformave.
FJALA E PLOTË E MARTA KOS:
Kemi parë ngritjen e SPAK-ut, strukturës së posaçme kundër korrupsionit të krimit të organizuar që është institucioni flamurtar antikorrupsion në Shqipëri, që ka vërtetuar që mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar i Shqipërisë.
Kjo reflekton mbështetjen e fortë të popullit shqiptar për reforma të thella në sistemin e drejtësisë. Dhe fuqia transformuese e procesit të anëtarësimit në BE duhet më së pari e mbi të gjitha të ndihet nga qytetarët shqiptarë vetë.
Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të, duke arritur këtë gur kilometrik kyç sot, ne po vendosim me vetëbesim edhe termat e rrugëtimit përfundimtar drejt anëtarësimit në BE.
Sot kemi vendosur objektivat e fundit, shtetet anëtare kanë përcaktuar piketat mbyllëse për kapitujt më të rëndësishëm, për shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore, për sistemin e drejtësisë, antikorrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara drejt mbylljes së kapitujve.
Pra pa hapjen e sotme, mbyllja e kapitujve nuk do të ishte aspak e mundur në të gjitha fushat e politikave. Dhe në momentin që plotësohen kushtet...
Ky është momenti për të kremtuar por edhe për të intensifikuar punën. Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim punën dhe vizionin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në vitin 2027. Shqipëria duhet ta përdorë këtë energji pozitive të gjeneruar nga ky hap për të ecur përpara.

