"Shqipëria ka bërë hap të rëndësishëm drejt BE-së"/ Ambasadori i Gjermanisë, Bergner: Por reformat në drejtësi mbeten vendimtare

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, ka përshëndetur progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian pas Konferencës Ndërqeveritare të zhvilluar në Bruksel mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Në një reagim publik, ai e cilësoi arritjen e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” si një hap të rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.

Bergner vlerësoi angazhimin e qytetarëve shqiptarë, institucioneve, administratës dhe sistemit të drejtësisë në këtë proces, ndërsa vuri theksin te rëndësia e reformave në sundimin e ligjit.

Sipas tij, respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit, përfshirë edhe rastet e nivelit të lartë, mbeten kushte të domosdoshme për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ambasadori gjerman u ndal edhe te çështja e heqjes së imunitetit, duke kërkuar që vendimmarrjet në këto raste të jenë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.