Konferenca e 8-të Shqipëri-BE/ Konfirmohet përmbushja e piketave për “Themeloret”, Rama synon anëtarësim brenda dekadës
Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian ka konfirmuar përmbushjen me sukses të piketave të ndërmjetme për grupkapitullin e “Themeloreve”, duke shënuar një tjetër hap në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Në konferencën e përbashkët, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade.
“Ne do të jemi anëtarë të kësaj familjeje brenda kësaj dekade. Unë e di, e ndjej, do të luftoj së bashku me ekipin.”-tha ai.
Kryeministri komentoi edhe marrëdhënien e Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke e cilësuar mbështetjen për integrimin si të fortë dhe të vazhdueshme.
“Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE, një dashuri e pashtershme, pa kushte, që sjell edhe vështirësi ndonjëherë, por ja ku jemi dhe jemi shumë të lumtur.”-shtoi Rama.
Ambicia e qeverisë shqiptare për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 u mbështet edhe nga komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
“Kur flasim për datën, mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, dhe më pas do t’i ngjitemi Korabit bashkë me kryeministrin.”-tha Kos.
Ajo komentoi gjithashtu propozimin për anëtarësim gradual të vendeve kandidate në BE, duke theksuar se çdo vend duhet të përmbushë kushtet përkatëse.
“Kur pranojmë shtetet anëtare, duhet të jemi më të fortë. Forma e garancive është ende në diskutim.”-u shpreh Komisionerja.
Ndërkohë, kryeministri Rama e cilësoi këtë propozim si një qasje që po hap diskutime të reja brenda Bashkimit Europian.
“Parlamenti Europian ka nxjerrë një raport që thotë se mbajtja jonë jashtë është më e kushtueshme sesa përfshirja. Kandidatët nuk duhet të ndahen. Ne jemi të vendosur të ecim përpara dhe të bëjmë çfarëdo që kërkohet për të hyrë në BE.”-tha ai.
Në konferencë foli edhe zëvendësministrja për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, e cila vlerësoi përmbushjen e piketave për grupkapitullin e “Themeloreve”, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian.

