Zgjatje e reformës zgjedhore në horizont/ Gjiknuri: Komisioni mund të shkojë përtej afatit të KQZ-së

Bashkëkryetari përfaqësues i mazhorancës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore parashikon zgjatje të punimeve të këtij komisioni, ndonëse KQZ ka vendosur si afat muajin korrik, nëse ndryshimet do të duhet të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme.

Në një konferencë për rolin e Shoqërisë Civile në proceset zgjedhore, Damian Gjiknuri ia kaloi përgjegjësinë opozitës për reformimin e Kodit Zgjedhor dhe jo vetëm.

E pranishme, përfaqësuesja e BE kërkoi bashkëpunim me opozitën, si dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

"Raporti i OSBE/ODIHR numëroi disa pika të rëndësishme që duhen adresuar, që lidhen me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, financimin e fushatave dhe partive, etj. BE mbetet e angazhuar në mbështetjen e Shqipërisë për institucione demokratike dhe hartimin e reformës zgjedhore."-tha ajo.

Në lidhje me parashikimet për fushatat elektorale, ajo kritikoi disa prej propozimeve.

Duke u ndalur te reforma territoriale, Gjiknuri tha se nuk pret ndryshime që mund të kërkojnë prekje të Kodit Zgjedhor.

Ndërkohë, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile në kuadër të përmirësimit të proceseve zgjedhore dhe monitorimit të tyre.

Përballë ftesës së kreut të KQZ-së për bashkëpunim, Gjiknuri reagoi edhe për sugjerimet e shoqërisë civile në projektligjin për financimin e partive politike, duke thënë se jo çdo propozim do të përfshihet, por synohet një ligj më i mirë se ai ekzistues.