"Integrimi në BE në fazë kritike"/ Andoni: Shqipëria synon mbylljen e 10 kapitujve brenda vitit

Në një lidhje direkte për Ora News ishte analisti Ben Andoni, i cili foli për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe sfidat që shoqërojnë procesin e integrimit.

Ai u ndal te faza aktuale ku ndodhet vendi, objektivat e qeverisë dhe ritmi i negociatave në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

“Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ka hyrë në një fazë tepër kritike dhe të ndërlikuar. Vendi ndodhet aktualisht në klasterin e parë të negociatave, i cili përfshin pesë kapituj thelbësorë që lidhen me drejtësinë, të drejtat themelore dhe tregtinë.”-tha ai.

Ai shtoi se procesi i negociatave është i kushtëzuar fort nga reformat dhe çdo kthim pas mund të ndikojë në të gjithë ecurinë e integrimit.

“Nëse ka qoftë edhe një kthim pas në reformat e kërkuara, i gjithë procesi mund të rikthehet në pikën zero. Ky rrezik nuk është hipotetik, pasi edhe vende të tjera të rajonit kanë hasur vonesa të mëdha në këtë rrugë.”-shtoi Andoni.

Në fokus të diskutimit mbetet edhe objektivi i vendosur për mbylljen e 10 kapitujve brenda vitit, një synim që shihet si ambicioz në raport me ritmin aktual të negociatave dhe sfidat institucionale që shoqërojnë procesin e integrimit europian.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: