Bien akuzat për krime lufte për gjeneralin kroat Gotovina

Bien akuzat për krime lufte kundër një prej gjeneralëve më famëkeq të luftës në ish-Jugosllavi, Ante Gotovina. Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës ka liruar nga akuzat ish-gjeneralët kroatë të luftës, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.Dhoma e Apelit e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, në fillim të leximit të vendimit përfundimtar, ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi për angazhim të përbashkët kriminal, me qëllim largimin e popullatës civile nga Krajina, territor kroat, me anë të përdorimit të forcës.Gjykatësi kryesues, Theodor Meron, ka thënë se Dhoma e Apelit pranon pjesërisht ankesën e Gotovinës dhe të Markacit dhe kundërshton përfundimin se sulmet në katër qytete te Kroacisë.Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, largimi i civilëve gjatë sulmeve të artilerisë nuk mund të karakterizohet si dëbim. Anëtari i tretë i "treshes kroate", Ivan Çermak, është liruar nga përgjegjësitë që vitin e kaluar.Të tre kroatët akuzoheshin për vrasje, dëbime dhe persekutim të serbëve gjatë fushatës ushtarake në fund të luftës së viteve 1991-1995 në Kroaci.Në gjykimin e shkallës së parë, më 15 prill të vitit të kaluar, Gotovina ishte dënuar me 24 vjet burgim, ndërsa Markac me 18.Të dy të pandehurit nuk shfaqën asnjë emocion në sallën e gjyqit ndërsa atmosfera ishte krejt e kundërt në Zagreb, ku vendimi u ndoq në ekrane gjigande e u prit me brohoritje.