Aktakuzë për krim të organizuar kundër Limajt
Një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limajt dhe gjashtë bashkë të pandehurve të tjerë për krim të organizuar dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin në të ashtëquajturën “çështje të Ministrisë së Transportit dhe Post- Telekomunikacionit”.Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka njoftuar përmes një komunikate për shtyp se “veprat penale për të cilat akuzohen kanë ndodhur gjatë periudhave kohore mes vitit 2008 dhe 2010; ndërsa në lidhje me pastrimin të parave mes vitit 2009 dhe 2012″.“Të pandehurit, Fatmir Limaj, Florim Lima, Demir Lima, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj akuzohen, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderave, dhënien dhe marrjen e rryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në MTPT për përfitime personale dhe/apo materiale”, thuhet në komunikatë.Dëmi ndaj buxhetit të MTPT-së llogaritet të jetë rreth dy milionë euro.Fatmir Limaj akuzohet gjithashtu për mosdeklarimin e parave në kohën që garonte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007 si dhe për vepra të tjera penale.“Çështja e MTPT-së” është ngritur ne prill te vitit 2010, derisa Limaj ishte udhëheqës i këtij dikasteri.Limaj këtë vit ishte shpallur i pafajshem në lidhje me një aktakuzë tjetër, për krime kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999. I akuzuar së bashku me nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së, procesi në atë që njihet si “Rasti Kleçka”, përfundoi më 2 maj të këtij viti.