Projektbuxheti 2013 përplas palët në Kuvendin e Kosovës

Projektbuxheti ka përplasur qeverinë dhe opozitën, ku teksa mazhoranca e ka vlerësuar se është një buxhet i zhvillimit, opozita e ka vlerësuar si një buxhet i cili mbyt shpresën e qytetarëve të Kosovës dhe nuk parasheh ndonjë zhvillim ekonomik të vendit. Ndonëse LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kundërshtuar këtë projektbuxhet, AAK-ja ka vënë disa kushte, në mënyrë që të përkrahin këtë projektbuxhet.Pas pjesës së parë ku u zhvillua një debat me akuza e kundërakuza mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, seanca ka vazhduar me diskutimet për projektbuxhetin.Ministri i Financave, Bedri Hamza ka prezantuar projektbuxhetin, duke ju drejtuar deputetëve që mos të shohin si një projektbuxhet për vitin 2013, por edhe për vite të tjera.“Projektbuxheti për vitin 2013 nuk duhet të shikohet si një projektbuxhet vetëm për një vit, por duhet të shikohet si një projekt që ka të bëjë për një periudhë të ardhshme makrofiskale. Ne kemi pas në konsideratë prioritetet e qeverisë, ne e kemi respektuar njëra nga këto prioritetet e qeverisë që është rritja ekonomike. Rritja ekonomike është bërë vitin 2013 dhe vlerësohet të jetë 4.5 %, duke i marr ecuritë që janë prezente në eurozonë, kjo rritje ekonomike është rritja më e madhe në regjion. Presim që edhe në vitin 2013 edhe në vitet në vijim ekonomia e Kosovës të vazhdon me ritmet e saja pozitive”, ka theksuar Hamza.Për më tepër ai tha se ky buxhet parasheh ngritjen e mirëqenies sociale, pensionet me rritje të kategorive të ndryshme dhe mbi të gjitha me këtë buxhet do të vazhdojnë investimet kapitale.Por deputeti i LDK-së në emër të Grupit Parlamentar, Naser Osmani ka thënë se ky buxhet nuk është i zhvillimit dhe nuk siguron qëndrueshmëri buxhetore.“Ky buxhet i mbyt shpresat e qytetarëve të Kosovës për jetë më të mirë, ky buxhet i falimenton bizneset vendore dhe e qon ekonominë e Kosovës edhe më tej në kolaps. Ky nuk është buxhet i zhvillimit, pasi nuk mbështetet as në objektiv zhvillimore. Kjo është e frikshme pasi ky dokument nuk siguron qëndrueshmëri buxhetore, sepse kjo qeveri nuk ka plan zhvillimor. Plani i Bullgarisë u pa që ishte jashtë kontekstit ekonomik në Kosovë dhe u injorua nga vet përpiluesit e tij”, ka deklaruar Osmani.LDK nuk mund ta mbështes këtë buxhet, pasi që siç ka thënë ai është në dëm të qytetarëve dhe bizneseve dhe ka kërkuar që të rishikohet shpërndarja e investimeve kapitale, sidomos në arsim dhe në infrastrukturë rrugore dhe të shpërndahen drejt nëpër komuna, bazuar në formulat për shpërndarjen e granteve nëpër komuna.Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se ky buxhet vazhdon të varet nga doganat dhe është vetëm buxhet shpenzues.“Ky është buxhet i cili nuk ka fare koncept të zhvillimit, ky është një buxhet i asfaltit e betonit, e jo buxhet i investimeve në sektorët prodhues. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, duhet ta dimë të gjithë, vjen nga investimet në prodhim, nga hapja e vendeve të punës në bujqësi, në energji e industri”, tha Ymeri.Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se ato që prezantohen në publik nuk po jenë pjesë e tabelave të buxhetit.“Ajo është interesante me përmend tha se ka qenë një trend, i cili nuk po mund të ndalet dhe përkundër faktit që ministri aktual e ka trashëguar trendin ka pasur mundësi me ndryshuar këtë trend. Shpeshherë ka politika që deklarohen dhe janë publike dhe asaj që shkruhet në tabelat e buxhetit dhe kur ka shpërputhje mes deklaratave publike dhe asaj që shkruhet në letër atëherë është goxha problem edhe me bërë debat konstruktiv”, ka theksuar Gjini.Por sipas tij AAK do ta votojë në lexim të parë këtë projektbuxhet, por ai ka vënë kushte për votën në lexim të dytë.“Aleanca kërkon që Qeveria e Kosovës me komisionin për buxhet dhe financa të gjejë mjetet për ndërtimin e rrugës drejt Pejës, vazhdimin e ndërtimit. Nëse kjo nuk ndodhë, me siguri se do të jemi kundër në leximin e dytë”, tha Gjini.Nga ana tjetër, komisioni për buxhet dhe financa dhe përfaqësuesit e koalicionit qeverisës i dhanë mbështetje projektbuxhetit 2013.Debati për projektbuxhetin e vitit 2013 po vazhdon edhe më tutje, me qëndrime të ndryshme ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ndryshe, buxheti i vitit 2013 në vlerë prej rreth 1.6 miliard euro, bazohet kryesisht në të hyrat nga doganat dhe të hyrat e brendshme. Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm, parashihet të jetë 4.5 për qind.