Shqipëria, rritje gjatë 2013, BB: Rimëkëmbje e ngadaltë dhe e brishtë
Shefja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovski thotë se situata ekonomike në Shqipëri për këtë vit do të jetë më e mirë, megjthatë rreziqet janë ende në horizont. Në një intervistë për DË, Lvovski thotë se pritet një rimëkëmbje ekonomike, por e ngadaltë dhe e brishtë."Vitin e kaluar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor patën tregues negativë për rritjen ekonomike, me në krye ekonominë serbe. Në këtë vit situata do të jetë më e mirë. Shpresohet që goditja e ekonomise nga sektori energjitik të shmanget, por recesioni do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim. Pra, ne presim rimëkëmbje, por ajo do të jetë e ngadalshme dhe rritja e ekonomike për rajonin dhe Shqipërinë do të jetë e ulët në dy vitet e ardhshme. Faktorë të tillë si huatë e këqia, rimëkëmbja e ngadaltë e kredisë, tkurrja e sektorit privat do të vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim negativ ndaj kërkesës së brendshme dhe rimëkëmbjes në vendet e Europës Juglindore dhe në Shqipëri" thekson ajo.Sipas shefes së Bankës Botërore për Shqipërinë, niveli i lartë i papunësisë, veçanërisht rritja e papunësisë në radhët e rinisë dhe përkeqësimi i treguesve të reduktimit të varfërisë janë dy faktorët që shqetësojnë Bankën Botërore.E pyetur rreth sfidave që do të ketë qeveria e re me kryeministër Edi Ramën Kseniya Lvovski thotë :"Është shumë e rëndësishme për të parë mundësitë: spostim nga një rritje ekonomike e orientuar nga kërkesa e brendshme në një rritje të orientuar nga eksporti, masa serioze për të tërhequr investitorët e huaj, konsolidim fiskal, vënie rregulli tek financat publike, ulje e borxhit te lartë publik. Investitorët e huaj e perceptojnë borxhin e lartë publik si një rrezik për ekonominë".Ndër rekomandimet e Bankës Botërore për qeverinë e re janë rritja e besimit tek institucionet publike. Sipas Lvovski testi i parë i vërtetë për angazhimet e qeverisë së re ndaj idealeve të mirëqeverisjes dhe integrimit në BE do të jetë tërheqja e personave të kualifikuar në administratën publike, pavarësisht se për kë votuan.Qeveria e re duhet të krijojë hapësirë fiskale për rritje të investimeve publike thotë Lovovski, dhe të vazhdojë reformat në një sërë sektorësh asistencën sociale, arsimin, bujqësinë, menaxhimin e burimeve ujore etj.Shefja e Bankës Botërore për Shqipërinë thotë se prioriteti i tretë është fillim i një programi të besueshëm të konsolidimit fiskal me qëllim stabilizimin e borxhit të rritur publik për ta futur në rrugën e uljes së tij graduale. Pavarësisht planit që mund të ketë kryeminstri i ardhshëm Edi Rama Kseniya Lvovski thotë se askush nuk mund të presë mrekullira.