Kosovë, Kuçi kërkon angazhim të OSBE për zgjedhjet në veri

Institucionet e Kosovës mirëpresin përgjigjen pozitive të OSBE-së për angazhimin e saj në lehtësimin por edhe organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore.Zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka takuar sot ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, me të cilin diskutoi rreth procesit të zgjedhjeve të cilat do të mbahen këtë vit, me theks të veçantë për organizimin e tyre në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.Në një deklaratë për mediat të ministrisë së drejtësisë thuhet se zëvendëskryeministri Kuçi, kërkoi angazhimin e OSBE-së për zgjedhjet në veri të cilat do të organizohen sipas ligjeve të Kosovës, por edhe për t’u siguruar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në tërë Kosovën.Ai ka shprehur dhe nevojën e angazhimit të përbashkët në mënyrë që pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve, por veçanërisht e qytetarëve serbë në zgjedhje, të jetë e kënaqshme dhe të ketë zgjedhje lira dhe demokratike.Angazhimi i OSBE-së në procesin e zgjedhjeve të sivjetme lokale në Kosovë mbështetet në marrëveshjen e arritur në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja.