Odalloviç: Të huajt toleruan krimet kundër serbëve
Misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë toleruar vrasjen e serbëve gjatë luftës, thotë kreu i komisionit qeveritar të Serbisë për personat e pagjetur Velko Odalloviç, i cili argumenton këtë akuzë me faktin se asnjë institucion i huaj në Prishtinë nuk ka procesuar përgjegjësit për pengmarrje dhe vrasjen e serbëve.Gjatë tribunës së organizuar në Beograd për “Ditët e Kujtimit”, Odalloviç tha se ky fakt është një njollë e zezë në punën e atyre që ishin garant për paqen dhe sigurinë.“Përgjegjësit nuk janë procesuar [sjell para drejtësisë], kjo është një njollë e madhe në mandatin e bashkësisë ndërkombëtare, KFOR-it dhe UNMIK-ut, por edhe institucioneve të Prishtinës, të cilat e quajnë veten shtet, dhe të cilat e projektojnë shtetin sipas krimeve”, citon beta Odalloviçin.“Ditët e Kujtimit” në Serbi, sipas medieve beogradase, këtë vit kujtuan 15 vjetorin e asaj që thuhet se ishin kidnapimet dhe vrasjet e para masive të serbëve në Kosovë, gjatë periudhës kohore 11 deri më 22 korrik 1998 në komunën e Rahovecit.Odalloviç shtoi se hetimet e deritashme të transplantit të organeve serbe nuk kanë dhënë rezultate të mëdha, por shtoi se nuk do të heqet dorë, dhe se çdo gjurmë po hetohet, për të zgjidhur fatin e 520 serbëve të zhdukur.“Koha e ka bërë të veten”, nënvizoi Odalloviç ndërsa shtoi se është humbur rasti kur ekipet ndërkombëtare dhe ato të Tribunalit të Hagës, “përkundër kapaciteteve të mëdha, nuk ndërmorën të gjitha hetimet”.Shefi i komisionit qeveritar për personat e pagjetur ka shprehur dyshimin se ekipi i cili po heton trafikimin e organeve në Kosovë, do të arrij tek kryerësit dhe organizatorët e këtyre krimeve.