Mbledhja e KQZ-së për qarkun e Lezhës, do të rinumërohen 10 kuti votimi

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar sot kërkesën e dy partive kryesore për qarkun e Lezhës. Pas diskutimeve dhe paraqitjes së provave, KQZ vendosi të pranojë një pjesë të provave të paraqitura nga partitë. Pas një pushimi,  KQZ është mbledhur sërisht dhe ka votuar për ngritjen e dy grupeve të numërimit, bashkë me vëzhgues nga të dyja partitë kryesore politike, nga një vëzhgues për secilin grup numërimi.Aktualisht KQZ është duke verifikuar kutitë e materialeve zgjedhore, për ato qëndra votimi për të cilat janë ankimuar Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ka kërkuar nga KQZ rinumërim dhe rivlerësim të votave në qarkun e Lezhës.  Edhe pse rezultati në Lezhë vendosi në favor të PD-së me marrjen e një mandati nga PS-ja, kjo forcë ka depozituar dje në KQZ një kërkesë ankimore, në të cilën kërkohet hapja e kutive dhe rinumërimi i 17 qendra votimi në qarkun e Lezhë.Po dje dhe Partia Socialiste ka depozituar ankimimin e saj, në të cilin kërkohet rinumërim vetëm  për 6 qendra votimi, të cilat ndodhen në KZAZ-në Nr. 15, që përkon me komunën e Mamurrasit. Të dy kërkesat synojnë pavlefshmëri të rezultatit të Lezhës, edhe PD edhe PS kërkojnë hapje të kutive. Pas dorëzimit në KQZ, të dyja ankesat do të shqyrtohen sot në orën 14:00 bashkërisht, pasi kanë të njëjtin objekt ankimor dhe KQZ do realizojë një seancë “gjykimi”.