Qeveria rrit pagat dhe pensionet, Berisha: S`ka panik, fondi është i garantuar
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se qeveria do të mbajë premtimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve.Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri theksoi se rritja e rrogave është një stimul për një perfomancë më të mirë të administratës"Rritja e rrogave për administratën është një stimul për një përkushtim më të madh dhe për një performancë më të mirë por ka bërë edhe më të lakmueshëm vendet në administratë. Kjo është një politikë konstante e jona. Vendimi duhej marrë në qershor por ne e shmangën që të mos dukej si për qëllime elektorale. PD dhe qeveria e saj u përmbahen disa parimeve shumë solide dhe të drejta në raport me votuesit. Vendimi ishte shpallur që do bëhej në korrik për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij" tha Berisha.Kryeministri njoftoi se pensionet do të rriten me 4 përqind ndërsa rrogat e buxhetorëve do të rriten me 5.4 përqind."Do të ketë një rritje prej 4 përqind të pensioneve por rritja e pensioneve në fshat do të jetë 5 përqind, pra dy herë me e madhe se rritja e inflacionit. Me këtë rritje nuk do të ketë pension poshtë 12 mijë e 24 lekë. Ndërsa paga e buxhetorëve do të rritet me me 5.4 përqind, pra rritet me 2.7 herë se inflacioni. Është një rritje e përvitshme në nivelet pak a shumë të vjetshme. Çdo vit, pagat dhe pensionet nga qeveria që kam kryesuar, janë rritur dy deri katër herë më shumë se inflacioni, sipas rastit. Në të vërtetë, çdo qeveri përveç rasteve të jashtëzakonshme duhet të indeksojë rrogat dhe pensionet, ç’ka do të thotë se duhet të garantojë rritjen e tyre aq sa rritet inflancioni që të mos ketë përkeqësim të jetesës” tha Berisha.Kryeministri theksoi se të ardhurat janë dyfishuar për shkak të një performancë shumë të mirë të institucioneve të mbledhjes së të ardhurave dhe të ekonomisë shqiptare. Ai tha se pretendimet se nuk do të ketë para për rroga dhe pensione janë pikëpamje paniku, dhe dashakeqe.“Çdo qindarkë përballohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit. Nuk kemi përdorur asnjë qindarkë të marrë borxh. Ky përbën një nga ndryshimet më të mëdha dhe më thelbësore. Fondi i pagave është 100% e garantuar ” theksoi Berisha.Berisha: Nuk jemi qeveri kujdestare, as në detyrë por me një mandat të plotë kushtetuesBerisha i është përgjigjur edhe akuzave të socialistëve se qeveria është një qeveri kujdestare dhe nuk duhet të marrë vendime."Ka një debat që ka në bazë injorancë dhe revanzhin lidhur me vendimet e kësaj qeverie. Kushtetuta ka vendosur në mënyrën më precize se kur mbaron mandati i një qeverie dhe kur fillon ai i një mazhorance të re. Kushtetutat evropiane dhe botërore nuk njohin asnjë kufizim të qeverisë nga dita e parë deri në ditën e fundit. Kushtetuta i jep qeverisë shqiptare katër vjet ditë më ditë për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston koncepti “qeveri kujdestare”; është vetëm në Bangladesh ku me Kushtetutë ata kanë vendosur që qeveria kujdestare të jetë ajo e paszgjedhjeve gjer në dorëzimin e mandatit. Të gjitha të tjerat nuk kanë përcaktuar në Kushtetutë përfshirë këtu edhe vendimet më të mëdha që mund të marrë një vend apo komb. Ata që bëjnë fjalë për qeverinë në detyrë tregojnë injorancën në detyrë. Ajo është qeveria e një kryeministri të dorëhequr, qeveria e të cilit qëndron aty deri në zgjedhjen e tij” theksoi kryeministri.Gjithashtu Kryeministri iu kërkoi ministrave që të vazhdojë me intensitet hartimi i buxhetit. “Ne duhet t’u lemë atyre që vijnë në pushtet, një skemë, të cilën mund ta përmbysin nëse dëshirojnë, por duhet t’u lemë një skemë serioze mbi tavolinë, pasi hartimi i buxhetit nga e para natyrisht që kërkon një kohë shumë të gjatë" përfundoi Berisha.