Olldashi: PS-LSI rithemeluan Partinë e Punës, PD shtëpia e madhe e opozitës

Marrëveshja e 1 Prillit PS-LSI, për Sokol Olldashin më shumë se një aleancë, është rithemelimi i Partisë së Punës. Dhe në këtë situatë, kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, paralajmëroi nga Lezha një aksion opozitar për rrëzuar këtë koalicion që në zgjedhjet lokale të vitit 2015.“Marrëveshja e 1-Prillit mes PS-së dhe LSI-së riktheu Partinë e vjetër të Punës. 1 Prilli ishte rithemelimi i Partisë së Punës. Nga ky moment, ne duhet të fokusojmë si kundërshtarin tonë politik, ish Partinë e vjetër të Punës, pra do të thotë , Partinë Socialiste dhe LSI-në bashkë, pra do të thotë banditët e PS-së dhe hajdutët e LSI-së, të gjithë bashkë. Duhet t’i fokusojmë dhe t’i godasim me të gjithë fuqinë tonë politike. Skena politike në Shqipëri nuk ka tre pole, por dy: Ka ish Partinë e vjetër të Punës dhe opozitën e Partisë Demokratike. Ky është një kufi i qartë të cilin, ne duhet ta vendosim menjëherë. Kjo parti ka rrëzuar Partinë e Punës në 1992, ka rrëzuar mazhorancën e korrupsionit në 2005. Partia Demokratike këtë aliazh e rrëzon në përpjekjen e parë elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2015.”Ndërsa duke komentuar premtimet për shëndetësinë dhe politikën fiskale, Olldashi tha se mazhoranca filloi të çmontojë propagandën e saj ende pa u mandatuar.Nga Mirdita, Olldashi tha se Partia Demokratike duhet të funksionojë si një shtëpi e madhe e opozitës dhe se duhet të forcojë menjëherë raportet me shtresat tradicionale të saj: Të përndjekurit, ish pronarët, biznesin dhe klasën e mesme.