Olldashi në “Tonight Ilva tare”: Do fitoj garën, Berisha nuk po mbështet asnjë
I ftuari në mbrëmjen e sotme në emisionin “Tonight Ilva Tare”, kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, ka deklaruar se është një person të cilit i pëlqen gara dhe se në çdo garë që futet e bënë këtë vetëm për të fituar.Olldashi e ka nisur intervistën e tij përballë gazetares së RTV “Ora News”, duke folur për rrugëtimin e tij në Partinë Demokratike duke u shprehur se udhëtimi i tij në këtë parti është rrugëtimi tipik i një njeriu që nis nga shkalla e parë e arrin në nivele të larta.
“Për herë të parë në Partinë Demokratike jam angazhuar në Janar të vitit 1991. Aktiviteti i parë politik ka qenë bashkë me Artan Hoxhën. Jemi mbledhur për të thirrur njerëzit në mitingun e PD në 3 janar 1991. Rrugëtimi në Partinë Demokratike ka qënë tipik i një rrugëtimi që nis nga shkalla e parë dhe që arrinë në nivelet më të larta.”Kandidati për kreun e PD-së ka shpalosur platformën e tij për fushatë, si dhe është shprehur lidhur me proçesin zgjedhor të 23 Qershorit edhe humbjen e Partisë Demokratike në këto zgjedhje, duke akuzuar me këtë rast dhe blerjen e votave nga ana e koalicionit të majtë.
“Nuk duhet toleruar fenomeni i blerjes së votave. Përmasën e blerjes së votave e pashë pas përfundimit të zgjedhjeve të 23-Qershorit. Blerja e votës ka qënë masive nga partitë e koalicionit të majtë dhe një nga arsyet kryesore që e majta morri pushtetin është pikërisht blerja e votës. Partia Socialiste nuk ka pasur ndryshim të votave gjatë këtyre zgjedhjeve, por Lëvizja Socialiste për Integrim ka patur një rritje të madhe. Votuesit e pavendosur të Partisë Demokratike kanë shkuar masivisht tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Nëse me të vërtetë do të kishte frymë opozitare, atëherë votat duhet të vinin tek Partia Socialiste dhe jo tek Lëvizja Socialiste për Integrim”, u shpreh Olldashi.
Në lidhje me garën që po bëhet për kreun e Partisë Demokratike, Olldashi u shpreh:“Partia Demokratike është një parti që ka rreth 106 mijë anëtarë në të gjithë vendin. PD ka nevojë të fillojë përgatitjen për betejën e ardhëshme që janë zgjedhjet lokale. Në Partinë Demokratike po bëhet një garë reale për kreun e partisë. Secili nga ne është përgjegjës për humbjen e PD-së në zgjedhjet e 23-Qershorit. Pavarësisht se Berisha bëri një gjest fisnik, të gjithë e dinë se kjo përgjegjësi mbahet në të gjitha nivelet. 12 kryetarëve në rrethe janë përgjegjes, përfshirë edhe mua edhe z. Basha. Ka vetëm një kategori që nuk kanë përgjegjësi. Ajo është kategoria e militantëve të thjeshtë. Rëndësi ka që mbi gabimet të ndërtohet një eksperiencë. Anëtarët e Partisë Demokratike duhet të votojnë në datën 22 Korrik midis meje dhe zotit Basha. Më pëlqen gara dhe në çdo garë që futem e bëj këtë vetëm për të fituar.”tha Sokol Olldashi.Olldashi i pyetur nga gazetarja Ilva Tare se pse është përjashtuar Forumi i Gruas dhe FRPD nga votimi për kryetar, është përgjigjur:“Nuk janë përjashtuar, por ato janë dy organizata të pavarura nga PD. Të gjithë ata që janë anëtar të PD do të votojnë. Ka dhe nga ata që janë të anëtarësuar edhe në PD edhe në këto organizata.”
Sokol Olldashi ka folur gjithashtu dhe në lidhje me dorëheqjen e kryetarit të Partisë demokratike, Sali Berisha si dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të kësaj partie.“Sali Berisha është themeluesi dhe lideri historik i Partisë Demokratike. Kjo nuk është një garë që bëhet për shkak se Berisha ka gabuar, kjo është një garë që vjen si pasojë e dorëheqjes së tij. Kjo nuk është garë për të ndrequr gabimet e Berishës. As unë dhe as z. Basha nuk mund të jemi z.Berisha. Eksperienca e Berishës në PD dhe në qeverisje është një shembull i mirë për të gjithë. Menaxhimin e zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike po e realizon një komision i posaçëm dhe jo Berisha. Në PD është krjuar një komision zgjedhjesh. Kemi përfaqësues edhe unë e Z.Basha. Themi se të Hënën në darkë mbyllet votimi dhe më pas kutitë vijnë të numërohen në Tiranë. Rrezikohen të krijohen rreshtime nga deputetët ndaj nuk ka mbështetës për njërin apo tjetrin kandidat për kreun e PD-së. Marrdhëniet e mia miqësore me njerëz brenda Partisë Demokratike nuk dua të ndikojnë për vota në favorin tim. Votat nga lidhjet miqësore janë të pashmangshme edhe pse vijnë në mënyrë subjektive. Unë nuk e kam garën me mediat dhe analistët, por me anëtarët e Partisë Demokrtike. Me Lulzim Bashën kam raporte shumë të mira dhe brenda Partisë Demokratike ekziston fryma e solidaritetit”, u shpreh Olldashi.Në lidhje me kandidatin tjetër për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe pyetjes nëse ka ndonjë sinjal për ndërhyrje nga Berisha dhe nëse është i gatshëm që të bëjë një debat me Bashën, Olldashi është përgjigjur:“Unë vë re një mosndërhyrje të Berishës. Secili ka preferancat e veta. Për të qenë korrekt dhe etikë në këtë garë nuk duhet të përfshihen anëtarët e Kryesisë. Kjo garë duhet të ketë përmbajtje etike. Nuk besoj se do të ishte e dobishme që ne të bëjmë debat televiziv. Ne po bëjmë përditë një debat”, ka përfunduar ai.