Gjirokastër, Zhulat, Rrapi i tharë kthehet në një vepër arti

Një skulpturë e lartë 4.70 metra do të zerë vend në qendër të fshatit Zhulat, të komunës së Cepos në rrethin e Gjirokastrës.Shkak i realizimit të kësaj ideje është bërë tharja e rrapit 300 vjeçar që dikur zbukuronte këtë shesh. Ideja e një biznesmeni të zonës u përcoll artistikisht mes krijimtarisë së skulptorit, Murat Kërra, i cili po realizon në trungun e rrapit të tharë figurën e një personazhi të njohur të historisë, siç është ajo e Idriz Sulit, hartuesit të kanunit të Jugut.Nga monument natyre rrapi i njohur i Zhulatit është kthyer në një monument të gdhendur në dru, që për nga lartësia, ekspozimi dhe mënyra e punimit, mbetet ndoshta rasti i parë në Shqipëri.Kryetari i komunës, Cepo Dragush Logli, thotë se ky investim vjen në sajë të kontributit të gjithë këtij komuniteti dhe shton se në këtë shesh do të ndërtohen monumente të disa figurave të njohura të zonës.Sëmundja e rrepeve në zonën e jugut, ka tharë qindra prej tyre, por tharja e një  rrapi që ishte bërë pjesë e jetës së banorëve, sigurisht do të linte një  boshllëk të paimagjinueshëm. Zgjidhja duket nga më origjinalet dhe vepra e nisur katër muaj më parë do të inagurohet në festën e këtij fshati në 17 Gusht.