Çertifikimi i zgjedhjeve, Zguri: KQZ nuk ka numrat, ndarja e mandateve nga Kolegji
Në kohën kur puna e KQZ është drejt fundit dhe pritet shpallja e rezultatit përfundimtar, Klement Zguri, anëtar i Komisionit deklaron se KZQ në mungesë të shumicës së cilësuar, 5 vota pro, nuk mund të bëjë ndarjen e mandateve. Kjo kompetencë sipas Zgurit i shkon direkt Kolegjit Zgjedhor dhe pasi kjo procedurë të ketë përfunduar, atëherë KQZ është në të drejtën e tij ligjore të bëjë dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 23 qershorit.“Proceset janë shoqëruar me një tendencë bllokuese për administratën zgjedhore, pasi subjektet politike zgjedhin mënyrën si garojnë me kundërshtarin. Nuk është e lehtë funksionimi me 4 anëtarë në KQZ. Duke qenë në një trysni akuzash të pabaza, ne arritëm të organizojmë dhe administrojmë procesin dhe shumë shpejt do kemi dhe rezultatin përfundimtar. KQZ me katër anëtarë për hir të vërtetës nuk mund të certifikojë zgjedhjet, kështu që Kolegji Zgjedhor ka kopetencën dhe të drejtën për të zgjidhur vendimet që kërkojnë 5 vota. E kemi të pamundur ndarjen e mandateve. Vetëm pasi Kolegji të bëjë ndarjen e mandateve, KQZ ka gjithë të drejtën dhe kompetencat të shpallë rezultatin zgjedhor” tha ai.Ndërsa aktualisht kanë në dorë 32 ankimime të subjeketeve politike, për Zgurin tre janë zonat më të nxehta ku rezultati mes partive është shumë i ngushtë dhe mund të kemi ndryshim të mandateve, Lezha, Shkodra dhe Kukësi. Lidhur me rastin e Lezhës, Zguri deklaroi në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News se zgjidhja ideale dhe pa hije dyshimi mbrapa do të ishte rinumërimi i kutive për 10 qëndrat e votimit.“Rezultati i zgjedhjeve është produkt i konkurencës së programeve, kritereve, por dhe një konkurencë mes karaktereve të individëve. Kjo na vendos në vështirësi. Tensioni, mungesa e besimit dhe një konflikt kaq i madh politik e trondit komisionin. Në zonën e Lezhës debati ishte më i nxehtë. Vendimi i KQZ-së për ndryshimin e rezultatit në qarkun e Lezhës erdhi pas verifikimit nga administrata të tabelave origjinale të 248 qendrave të votimit në këtë zonë zgjedhore, ndërsa për 10 qendrat e votimit të ZAZ-së nr. 13, për të cilat Komisioni nuk dispononte tabela origjinale, rezultati doli pas kalkulimit të të dhënave të sistemit elektronik të KQZ-së. Ne paraprakisht u bëmë thirrje subjekteve të sillnin origjinalet, por nuk na u përgjigj asnjë. Nderkaq nga ajo që palët deklarojnë, 3 nga zonat ka pretendime se mund të ketë ndryshime mandatesh, Lezha, Shkodra dhe Kukësi. Nuk e di nëse kanë ndodhur parregullsi, tabulatet nuk janë korrekte le të themi, megjithatë mbeten në kuadrin e pretendimeve dhe si të tilla duhet të respektohen dhe shqyrtohen” u shpreh ai.E ndërsa si anëtar i KQZ është propozim i Partisë Republikane , zoti.Zguri tha për drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj se është përpjekur të jetë i barazlarguar nga të gjitha partitë politike. Madje edhe të qënit relator i kërkesës së këtij subjekti politik për rezultatin zgjedhor në qarkun e Shkodrës ishte përcaktim shorti.“Nuk mohoj që jam përfaqësues i zgjedhur nga PR. Jam munduar të respektoj ligjin dhe të jem i barazlarguar nga subjektet zgjedhore. Më ra mua përmes shortit të jem relator i kërkesës së PR për rivlerësim të rezultatit në këtë qark dhe kjo kërkesë do të shqyrtohet ditën e hënë nga KQZ” tha më tej Zguri.Po me ç'note i vlerëson zoti. Zguri zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013?“KQZ përtej ngarkesës, mungesës së besimit, sfidën e standardeve për mua e ka arritur. Ata që bëjnë vlerësimet nuk mund të bëjnë parashikime të llojit sinoptik. Janë, marrë 711 vendime për 2013, 188 i përkasin KQZ me 7 anëtarë. Kemi vetëm 6 vendime të kthyera nga Kolegji Zgjedhor. E vërteta është se nga proçesi në proçes KQZ ka bërë progres në raport me administrimin e zgjedhjeve dhe këto të 2013 kanë arritur standardet e kërkuara”.