Meta: Rezultati i LSI-së, përkushtim maksimal ndaj qytetarëve që na votëbesuan

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët LSI-së të zgjedhur më 23 qershor në Qarkun e Beratit, Nasip Naço, dhe Gledion Rehovica, ka zhvilluar një takim në qytetin e Kuçovës, ku ka falënderuar të gjitha strukturat e LSI-së në këtë qytet për rezultatin e jashtëzakonshëm që arriti LSI atje.Z. Meta deklaroi se “ky rezultat veçse na bën më të përkushtuar ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, por natyrisht në mënyrë të veçantë ndaj të gjithë atyre që besuan tek sigla e LSI-së, tek slogani i LSI-së për të ecur më shpejt, edhe tek numri ynë, 26-a”.“Nga sot ne ndiejmë përgjegjësitë e reja që janë edhe më të mëdha dhe ne do të vazhdojmë me shumë pjekuri të menaxhojmë këtë mbështetje, këtë rezultat. Jemi të bindur se do të ecim më shpejt të gjithë së bashku. Edhe vendi do të eci më shpejt me ne dhe me këtë maxhorancë të re, ku LSI-a ka një përfaqësim tepër të merituar dhe natyrisht që angazhimi ynë për ecjen më të shpejtë të vendit, për integrimin më të shpejtë, përqendrimi ynë për të realizuar premtimet tona kryesore, ristrukturimin e ekonomisë, rritjen e punësimit do të na udhëheqin në çdo hap që do të bëjmë nga sot edhe në të ardhmen” tha ai.Sipas Metës mbijetesa dhe vendosmëria e LSI ishte ajo që solli qëndrueshmërinë dhe rritjen e rezultatit.Mbijetesa dhe vendosmëria jonë solli jo vetëm qëndrueshmërinë tonë por edhe këtë rritje, edhe këtë rezultat, i cili atyre që nuk e njihnin LSI-në nga brenda u dukej i paarritshëm. Nuk po flas këtu për dashakeqësit por flas edhe për shumë njerëz të tjerë që mendoni një rritje për LSI-në por ja kaq të madhe. Por ne duke e ditur dhe Kodin, duke ditur dhe mundësitë tona, potencialet tona, e shfrytëzuam maksimalisht dhe kemi një rezultat të shkëlqyer. Shpresoj shumë që të arrijmë edhe mandatin e Kukësit sepse realisht ai është një mandat që na takon neve dhe do ta bëjmë të gjithë luftën. Ne kemi gjetur të gjitha manipulimet. Diferenca është vetëm 10 vota.Mbi të gjitha në rezultatin tona është vota popullore. Kemi marrë 180 mijë vota. Se mund t’i merrnim 16 mandate edhe me 120 mijë vota. Mund ta merrnim mandatin në Gjirokastër edhe me 5 mijë vota, por e kemi marrë me 12 mijë vota. Mund ta merrnim në Shkodër me 5 mijë vota, edhe më pak, por e kemi marrë me gati 13 mijë vota, e kështu në të gjithë Shqipërinë. Pra, kemi dhënë një kontribut të madh për gjithë fitoren e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’” theksoi Meta.Duke i garantuar qytetarët shqiptarë se LSI, si pjesë e qeverisjes së ardhshme do të mirëmenaxhojnë në interesin e vendit, Meta garantoi edhe qytetarët e këtij qarku se premtimet e bëra në mitingun e fundit të Kuçovës do t’i mbajë të gjitha.“Kuçova do të ketë një përfaqësim që nuk e ka pasur deri më tani në të gjitha institucionet” përfundoi ai.