Basha premton në Lushnje, Peqin e Gramsh: Sistem vlerësimi për anëtarët
Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi takimet me bazën e partisw në Lushnje Peqin dhe Gramsh. Basha tha se në platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike, anëtarët dhe simpatizantët do të jenë pjesë e vendimmarrjes organizative dhe politike të partisë."Partia Demokratike do të ndërtojë një sistem transparent dhe të drejtë të kreditimi të meritës dhe karrierës. Ne e dimë fare mirë se më të përkushtuarit mes nesh, më gjigandët në kontribute janë gjithmonë, të fundit në pretendime, të fundit në kërkesa, të fundit në përfitime."- u shpreh Basha.Basha tha se çdo anëtar i Partisë Demokratike duhet të jetë krenar për trashëgiminë e partisë, e cila sipas tij do të jetë themeli i fillimit të ri."Ne jemi partia që shembi komunizmin, ne jemi partia që pas gjeneratash harrese, riktheu para shqiptarëve idealet e shoqërisë së lirë. Pas 20 vitesh që u antarësuam në Këshillin e Evropës ishim prapë ne që nënshkruam MSA, ishim ne që morëm ftesën për në NATO, ishim ne që e anëtarësuam vendin në NATO, ishim ne që i hoqëm vizat dhe i kthyem dinjitetin shqiptarëve, jemi ne që iu dhamë shqiptarëve infrastrukturën më moderne rrugore dhe energjitike që vendi ka njohur ndonjëherë dhe për këtë çdo demokrat dhe demokrate sot duhet të jetë shumë krenarë. Ky është një gurë i rëndë themeli që nuk e lëviz dot askush e aq më pak mazhoranca e votës së deformuar, të blerë dhe të korruptuar të 23 qershorit." -theksoi Basha.Ndërsa duke akuzuar kryesocialistin Edi Rama se po tenton të drejtojë qeverinë nga Partia Socialiste, Basha tha se Partia Demokratike duhet të përgatitet për të mbrojtur institucionet e këtij vendi nga modeli i partisë-shtet."I keni parë se si po kërkon të menaxhojë pushtetin nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste, këtë provojë e njohim, kësaj i thonë parti-shtet. E filluan me kundërshtimin që i bënë rritjes së rrogave dhe pensioneve minimale para një jave, e vazhduan me kërcënimet banditeske ndaj përfaqësuesve tanë në KQZ, por në çdo rast ne do të jemi gati për t'ju përgjigjur kësaj kulture anti-shtet me instrumentat e nevojshëm institucional, politikë dhe ligjorë për të mbrojtur shtetin, institucionet dhe administratën publike."- deklaroi Basha.Basha tha opozita do të bëjë gjithëçka për tiu përgjigjur kësaj kulture antishtet me instrumentat e nevojshëm institucionalë.