Basha në Sarandë e Delvinë: Zëri i anëtarit, baza e fillimit të ri të PD

Kandidati për kryetar të PD Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij, për drejtimin e PD në Sarandë dhe Delvinë. Në platformën e zotit Basha, një rëndësi e veçantë i kushtohet dëgjimit të zërit të çdo anëtari dhe militanti të PD. Vetëm në këtë mënyrë dhe duke vlerësuar kontributin e gjithsecilit, PD do të arrijë të mësojë nga gabimet e së kaluarës dhe të rikthehet në pushtet në një kohë të shpejtë.“2011 është një tjetër provë, që një bashkim zemrash e mendjesh dhe një vullnet fitues bëri të mundur largimin e kryesocialistit nga pushteti, çuarjen e tij në opozitë. Jam i bindur, kam besim të plotë se prapë të bashkuar dhe bazuar në vullnetin e zemrave dhe mendjeve të çdo demokrati e demokrateje, pa përjashtim, unë do ju udhëheq përsëri drejt largimit të kryesocialistit nga pushteti që ka marrë dhe kthimin e tij në opozitë. Pasi të jemi siguruar se zëri i çdo anëtari dëgjohet, është detyra jonë të ndërtojmë instrumentet tona, për të thithur të gjithë atë energji pozitive si dhe për të pritur të gjithë atë pakënaqësi që pritet të shkaktojë qeverisja e pritshme prepotente, arrogante, korruptive dhe abuzive e Edi Ramës dhe koalicionit të tij të votës së deformuar” – deklaroi z. Basha.Zoti Basha ka bërë të ditur se një nga iniciativat e para të PD nën drejtimin e tij, do të jetë hapja e zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar dhe mbrojtur çdo punonjës të administratës i cili do të përballet me largimin abuziv të paralajmëruar nga puna, nga mazhoranca e re e votës së deformuar, siç e konsideroi zoti Basha.“Aksioni ynë politik duhet të nisë menjëherë. Ne do të luftojmë me të gjithë mjetet për të mbrojtur shërbimin civil nga revanshi që pritet të fillojë, përmes ngritjes së zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar çdo rast abuzivizmi të tillë, ngritjen e grupeve të posaçme juridike, në mënyrë që në përputhje me ligjet e vendit, kushdo që guxon të ngrejë hapa të tillë, të përballet në mënyrë të menjëhershme, nëpërmjet sistemit juridik shqiptar, me faturën ligjore, financiare dhe politike të një abuzivizmi të tillë”