A është Berisha garant i garës në PD?
Partia Demokratike po zhvillon zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë në rrethana krejt të reja për të, pa u ndihmuar aspak nga çfarëdo përvoje të mëparshme të strukturave të saj. Ajo ka një garë për të zëvendësuar Berishën në postin e kryetarit, çfarë e bën këtë ndeshje gati pa emocion, pasi lojtarët ende nuk ngjallin interes më shumë se sa arbitri, që është Berisha, taktikat e tyre të ndeshjes nuk merren shumë seriozisht dhe mund të mos funksionojnë në objektivat që ato kanë, pasi vështrimi është mbi taktikat e arbitrit, dhe kur njëri të fitojë, sërish problemi nuk ka marrë fund, pasi sërish arbitri projektohet si fitues. Kjo është gjithçka çfarë vjen prej perceptimit.Në këtë tip ndeshjeje nuk janë ndodhur partitë politike në Shqipëri, natyrisht aty ku edhe ka kuptim ndeshja, te partitë e mëdha, PD dhe PS. Historitë e mëparshme të zgjedhjeve për kryetar brenda PD-së kanë qenë kryesisht formale apo me fitues të paralajmëruar për shkak se konkurronte Berisha. Të tilla kanë qenë garat Berisha-Arbnori, Berisha-Butka. Natyrisht se kishte ndryshim në tipin e garës Berisha-Pollo. Ajo ishte konkurrente përgjatë procesit, por jo në pritshmëritë e rezultatit. Pollo u tërhoq nga gara në momentin e votimit.PS ka pasur një garë në vitin 1999 midis Nanos dhe Majkos, e vetmja që ishte edhe ndeshje. U fitua nga Nano me një rezultat të ngushtë, pasi i shpëtoi një aksidenti në kthesat e Ballshit, ku edhe humbi një gisht. Ndërsa rivaliteti për kryetarin e PS-së në vitin 2003, midis Nanos dhe Ramës, nuk ngjalli shumë interes. Më 2005-n gara Rama-Meidani u zgjidh në një formulë budiste. Si emër fitoi Rama dhe si alternativë fitoi Meidani. Alternativa shkoi tek emri dhe kryetar u zgjodh Rama. Gara tjetër, Rama-Lakrori, prodhoi shumë më pak emocione se sa një ndeshje futbolli në Afrikë, që ndiqet në ndonjë prej lotove në Tiranë.Përderisa nuk ka pasur një garë të ngjashme në të shkuarën, edhe rreziku i të rënit në historicizëm, siç thotë prof. Fuga për analizat që lidheshin me zgjedhjet e qershorit, është më i vogël. Prandaj është më e lehtë për të gjykuar dy çështje që lidhen me cilësinë e garës në PD dhe pozicionin e Berishës në të. I pari ka të bëjë me perceptimin se Berisha nuk mund të jetë asnjanës në garë përderisa në garë është edhe Basha, i cili është sponsorizuar në karrierë nga Berisha. Gjykuar rast pas rasti, i bie që ky perceptim të jetë i gabuar. Qoftë Basha e qoftë Olldashi, janë të sponsorizuar nga Berisha në të gjithë karrierën e tyre. Çështja është se Basha është sponsorizuar më vonë se Olldashi, dhe ky lloj sponsorizimi është më i freskët për njerëzit. Të gjithë drejtuesit në PD, dhe ata që kanë bërë karrierë në qeveritë e kësaj partie, kanë qenë përzgjedhje ose sponsorizim i Berishës. Dallim bëjnë vetëm ata që kanë qenë pjesë themeluese e saj në vitin 1990, siç janë aktualisht në parti Ruli, Imami, Selami. Pjesa tjetër që ka nisur karrierën afatgjatë në ’97-n, si Topalli, Gjana, Beja, Minarolli, Xhaferri, Pollo, Demi, Ndoka etj., kanë qenë përzgjedhje e Berishës. Natyrisht, nuk ishin njerëz të ardhur nga rruga, por kishin kontribute në parti, ose kishin punuar më ngushtë me Berishën President. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për të tjerë që u përfshinë në strukturat e larta të PD-së në vitin 2000, ku bën pjesë edhe Olldashi, Patozi, Rusmali, Strazimiri e ndonjë tjetër, mjaft aktivë në opozitën e ashpër të viteve 1997-2001. Basha u përket prurjeve të vitit 2005 në PD, kur u krijua KOP-i. Prej këtij grupi pati të paktën katër-pesë ministra në qeverinë e PD-së, disa drejtues institucionesh shumë të rëndësishme të vendit dhe gati gjysmën e tyre Berisha i emëroi si këshilltarë të Kryeministrit. Pra, përgjatë 15 viteve të fundit investimi i liderit të PD-së mbi figura të ndryshme ka qenë vazhdimisht proporcional. Olldashi, pas fitores në zonën më të komplikuar elektorale më 2005-n, u bë ministër i Brendshëm. Në vitin 2007 u përzgjodh si më i miri në PD për të garuar përballë Ramës, garë që e humbi. Edhe atë vit ka pasur një garë pas skene mes Olldashit dhe Bashës për t’u ndeshur me Ramën. Në PD ishin të bindur se Rama do të mundej. Fituesin natyrisht që e priste një e ardhme e ndritur në parti. Olldashi, fill më pas u bë ministër i Transporteve, një nga dy-tri ministritë më të rëndësishme të qeverive të PD-së. Në vijim PD-së i duhej të përgatiste një lojtar të fortë për garën e vitit 2011. Është plotësisht e pranueshme të thuhet se figura e Bashës është kuruar nga PD dhe Berisha në funksion të kësaj ndeshjeje, më shumë se ndonjë figurë tjetër në parti. Por pa një përkujdesje ndaj profilit do të ishte e vështirë gara me Ramën, siç edhe u bë mjaft e vështirë. Transferimi i asaj përkujdesjeje prej atëherë në garën që po zhvillohet tani ngjan të jetë i sforcuar, pasi faktet nuk na çojnë te ky përfundim. Besimi i dytë i ndokujt lidhur me garën është se nëse sponsorizimi i Berishës nuk funksionon, atëherë ai do të ndërhyjë në garë me kreditet e garantuesit të saj, duke i dhënë fitoren atij të cilit ai dëshiron.Edhe ky është perceptim, njësoj si i pari dhe për të cilin qoftë Berisha, qoftë të tjerë, janë të pafuqishëm ta mundin për hir të kësaj gare. Është si të pranosh që ndikimi i liderit në një parti bie sapo ky i fundit të urdhërojë rënien e tij. Berisha ka thyer njëra pas tjetrës javët e fundit shumë pritshmëri të njerëzve me sjelljen e tij politike. Shumë njerëz kanë besuar se Berisha do t’i manipulonte zgjedhjet nëse kupton se nuk do të jetë fituesi. Berisha nuk i manipuloi zgjedhjet, edhe pse ka pasur të dhëna e matje shumë para ditës së votimit se mund të humbte në zgjedhje. Edhe në vitin 2009 zgjedhjet nxorën në vend të parë Berishën, por jo në maxhorancë të thjeshtë. Edhe në ato rrethana ai ndoqi parimet e politikës. U hap ndaj së majtës pa tentuar të siguronte ndonjë deputet nga krahu tjetër, që i jepte maxhorancën. Ka qenë shumë i vogël numri i atyre që besonin se Berisha do dorëhiqej si kryetar i PD-së. Por ndërkaq është dorëhequr. Ndoshta faktet e renditura më sipër nuk janë të mjaftueshme për të na bindur se kryetari i ri i PD-së mund të jetë jashtë vullnetit të Berishës. Por të paktën janë të mjaftueshme për të bindur veten, se sa gabim e kemi pasur në rastet e tjera, kur në mënyrë arbitrare kemi përkufizuar profilin e Berishës, dhe mbi profil kemi projektuar edhe sjelljen e tij.Burimi : panorama.com.al