Burgaj pret Shefin Rajonal të Sigurisë së OKB-së, Christian Friedrichs

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, priti në një takim Shefin Rajonal të Sigurisë së OKB-së Z. Christian Friedrichs.Në qendër të bisedës së zhvilluar mes Burgaj dhe Firiedrichs ishin çështjet e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Zyrën Rajonale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit informoi Z. Friedrichs lidhur me progresin, që ka bërë Policia e Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizimit, duke u ndaluar dhe në bashkëpunimin me policitë e rajonit në luftën kundër krimit."Vëmendje të veçantë, Policia e Shtetit i ka kushtuar edhe trajnimit të oficerëve të policisë, ku Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pasur rolin e saj në këtë drejtim." - theksoi Z.Burgaj.Gjatë takimit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë evidentoi edhe rezultatet e arritura nga strukturat e policisë në drejtim të sekuestrimit të aseteve kriminale, të cilët kapin vlerën e rreth 6 milionë eurove.Nga ana e tij, Shefi Rajonal i Sigurisë së OKB-së Christian Friedrichs, u shpreh shumë i kënaqur për mbështetjen, që ka dhënë Policia e Shtetit për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.