Manjani: Gati të votojmë nesër 3 ligjet për statusin

Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur e gatshme për të votuar nesër në Kuvend tre ligjet e kërkuara nga KE-ja për marrjen e statusit kandidat.Ndërsa ka reaguar pas ftesës së Partisë Socialiste për tryezë, nënkryetari i LSI-së Ylli Manjani theksoi se çështja e qarkut të Fierit nuk mund të bëhet pengesë për marrjen e statusit për në BE.“LSI është e gatshme të votojë menjëherë të tre ligjet që kanë mbetur pa u miratuar. Ne mendojmë se partitë parlamentare nuk kanë përse të humbin kohë në tryeza sepse ligjet janë gati për miratim. Është koha të zgjidhim të ardhmen europiane të Shqipërisë e bashkë me të edhe të ardhmen europiane të Fierit dhe të gjithë komunave e bashkive në mbarë vendin” theksoi Manjani.Nënkryetari i LSI-së kërkoi nga ana e PS-së të miratojë ligjet e kërkuara ndërsa ka shtuar se debati që zhvillohet sot është ngarkesë e pa merituar për procesin e integrimit.“Asnjë çështje tjetër nuk është sot me e rëndësishme sesa miratimi i këtyre ligjeve. Nuk mund të shmanget aq më pak të eklipsohet rëndësia e miratimit të këtyre ligjeve, asnjë. Askujt në Fier, Tiranë apo mbarë Shqipërinë nuk i ka shkuar në mendje që të përdoret si kusht apo pengesë për të mos u integruar në Europë. Prandaj, politika ka detyrë të ndajë çështjet sipas përparësive dhe interesave të qytetarëve të këtij vendi dhe jo ti përziejë e ti ngatërrojë për qëllime të vogla elektorale.  Ky shtet ka institucione publike dhe private që kanë për detyrë të zbatojnë vendimet e gjykatave kur marrin formë të prerë. Në këtë kuptim është e pakuptimtë debati politik në Tiranë (në tryeza apo në distancë) për një çështje që duhet ta zgjidhin institucionet e pavarura të gjyqsorit apo institucionet autonome të pushtetit vendor shtoi Manjani.