Nëse nuk qeverisim, të paktën të festojmë me dinjitet
Në debatin absurd dhe djallëzor për vendin, datën, orën dhe mënyrën e festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, jo të djallëzuarit, por edhe naivët e ndershëm harrojnë një detaj të rëndësishëm. Më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, nuk u realizua vetëm akti i shpalljes së Pavarësisë, por u formua edhe qeveria e parë e shtetit modern shqiptar, qeveri e cila për rreth një vit e gjysmë funksionoi me të metat e sukseset e saj. Në këtë vështrim real, shpallja e pavarësisë, krijimi i qeverisë dhe funksionimi i saj në Vlorë, e përcakton këtë të fundit si Kryeqytetin shtetëror të asaj periudhe. Nisur nga ky fakt i thjeshtë, por i vërtetë dhe domethënës, asnjë dredhi për festime në Tiranë, në Durrës, apo dhe në “Muriqan” ( siç shkroi para disa ditësh një gazetar i ri), nuk mund t’i zhvendosë ceremonitë dhe festimet nga Vlora, e cila për njëqind vjet rresht ka qenë dhe mbetet “Meka” e Lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve. Por për fatin tonë të zi, drejtimi i politikës dhe i shtetit tonë njëqind vjeçar, ka rënë në duar mercenarësh të pacipë, të cilët i kanë vënë detyrë vetes t’i ndihin parullës “përça e sundo” të armiqve tanë të përhershëm, të cilët ndonëse nuk kanë mundur ta realizojnë gjer tani, nuk e pushojnë luftën për arritjen e këtij qëllimi. Politikanët dhe Shtetarët tanë demokratë, me në krye anti-shtetarin Berisha, jo vetëm nuk janë në gjendje të mbrojnë Pavarësinë, që shpalli më 28 Nëntor patrioti i madh Ismail Qemali, por nuk munden as ta festojnë atë me një ceremoni madhështore, siç i ka hije kësaj date historike. Këta liderë kanë hyrë aq thellë në llumin e tradhtisë, sa nuk mund të kthehen më në familjen tonë. Ndaj është e kotë t’u bëjmë thirrje për reagim, por në mënyrë masive të ngrihemi e t’i shkulim nga karriget e politikës dhe të shtetit, ku janë ngjitur me dhunë e me dredhi. Madje t’i heqim prej andej me gjithë kolltuqe, sepse siç thoshte edhe Noli, kolltukofagët është vështirë t’i shqepësh prej ndenjëses së kolltukut. Këtë detyrë, këtë aksion të të gjithëve, duhet ta udhëheqë Partia Socialiste, që është forca më e madhe opozitare, nëse vërtet kjo parti është përfaqësuese e së majtës, spektër ku rreshtohet pjesa dërmuese e popullit tonë. Ndërsa për festimin e Ditës së madhe të Pavarësisë, programi dhe agjenda e festimeve është e përcaktuar dhe e njohur: të gjitha partitë politike, që e quajnë veten demokratike dhe pretendojnë se kanë elektorat; të gjitha organizatat dhe shoqatat joqeveritare, shoqëria civile dhe çdo organizim tjetër; të gjithë intelektualët e vërtetë të kombit; të gjithë shqiptarët që identitetin “shqiptar” e kanë jo thjeshtë në pasaportë, por mbi të gjitha në zemër, më datën 28 Nëntor 2012, me mendje, me zemër dhe fizikisht, të “mësyjnë” Vlorën, sepse ne të gjithë kemi nevojë për Lavdinë e Vlorës dhe të aktit të madh kombëtar që u vulos në këtë qytet 100 vjet më parë. Qëndrimi ndaj kësaj date nuk është qëndrim politik dhe ideologjik, prej të cilave partitë mund të tuten se po “devijojnë” nga “vija”, por qëndrim ndaj çështjes kombëtare, e cila nuk të fal nëse i kundërvihesh hapur, ose me makinacione historish e faktesh të improvizuara e të falsifikuara. Qeveria shqiptare, nëse vërtet është e tillë, në datën 28 Nëntor duhet të zhvendoset në Vlorë me të gjitha ceremonitë që dikton kjo datë e madhe. Në të kundërtën vërtetohet se ajo nuk është asgjë tjetër, veçse një arnë e keqe në trupin e shtetit e të pavarësisë sonë njëqind vjeçare. Burimi