Eshtrat e Zogut më 16 nëntor në Tiranë, ceremoni edhe në Paris
Me rastin e kthimit në Atdhe të eshtrave të NMT Zog I, Mbret i Shqiptarëve, Shteti Francez do të organizojë një ceremoni zyrtare në Paris në çastet e çvarrimit të eshtrave të Mbretit.Në ceremoni do të marrin pjesë Shefi i Protokollit të Presidentit Francez, Prefekti i Parisit, përfaqësues të qeverisë shqiptare, anëtarë të Familjes Mbretërore Shqiptare si dhe të disa familjeve mbretërore evropiane.Trupi i Mbretit Zog do të përcillet nga toka franceze për në Atdhe me nderimet ushtarake. Ceremonia do të zhvillohet më datën. 14 nëntor 2012 në ora 11.00 të mëngjesit te varrezat e Thiais-Paris.Ndërkaq me 16 nëntor eshtrat e mbretit Zog I do të mbërrijnë në Tiranë. Axhenda zyrtare e ceremonisë që organizohet me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë parashikon mbërritjen e eshtrave nga Parisi në Tiranë më 16 nëntor, më 17 nëntor, ditën e clirimit të Tiranës janë programuar homazhe në Pallatin e Brigadave dhe më pas do të zhvillohet ceremonia shtetërore e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut në Mauzoleumin e rindërtuar mbretëror , tek Kodrat e Liqenit.