Goergen: Shqipëria po ecën drejt koncepteve europiane
Sekretari i Përgjithshëm i AER-së, Pascal Goergen është shprehur se Shqipëria po ecën drejt konsolidimit të politikave rajonale dhe përgatitjes me konceptet europiane të strukturës rajonale.Gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha, Goergen shprehu mbështetjen e AER-së në zhvillimin e konsolidimin e këtyre politikave, përmes rritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave.“Misioni i Asamblesë së Rajoneve, lehtësohet mjaft, kur politikat e qeverive ndaj rajoneve synojnë forcimin e bashkëpunimit midis tyre. Shqipëria, është në rrugën e integrimit europian dhe kjo, padyshim, është një arsye më shumë, për të besuar në të ardhmen e rajoneve shqiptare” shtoi Goergen.Ndërsa kryeministri Berisha tha se zhvillimi rajonal përbën një prioritet dhe qeveria e vlerëson atë, me rëndësi të posaçme, për të afruar politikat e qeverisë me kërkesat e qytetarëve dhe të komuniteteve lokale dhe si një mjet i fuqishëm në përpjekjet për zhvillimin ekonomiko-social dhe kundër varfërisë.Kryeministri theksoi se përpjekjet janë të vazhdueshme për të forcuar rolin e autoriteteve rajonale dhe krijimin e kushteve e kapaciteteve administrative për thithjen e fondeve në kuadrit e programit të IPA-s."Modeli ynë rajonal ka dhënë rezultat, por ne synojmë konsolidimin e këtij modeli. Tashmë, në këtë kohë krize ekonomike europiane e botërore, qeverisja rajonale merr përparësi për vetë dinamikën dhe gjenerimin e burimeve në njësitë vendore dhe rajonet" tha kryeministri.