Guida e Tiranës, nga sot në duart e operatorëve turistikë
Bashkia e Tiranës ka prezantuar Guidën Turistike të Tiranës, e cila nga sot do të jetë në duart e operatorëve turistikë. Në këtë guidë në gjuhën angleze, turistët do të mund të gjejë informacionin e nevojshëm gjatë qëndrimit në Tiranë. Pak histori për kryeqytetin, vendet që duhen vizituar dhe monumentet që duhen parë, hotelet, restorantet , qendrat tregtare, aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot dhe një hartë e qytetit.Kryebashkiaku Basha ka shprehur vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të investuar në objekte të trashëgimisë historike dhe kulturore, të cilat janë lënë prej vitesh në harresë por që janë mjaft tërheqëse për turistët.“Në emër besoj të shumë përfaqësuesve të shoqatave turistike, agjencive të udhëtimit, agjencive turistike të cilat kanë disa kohë që janë bërë me dy kalime. Deri para pak kohësh organizonin dhe së fundmi me shumë sukses, pas heqjes së vizave, ture për shqiptarët jashtë ndërsa siç po shikojmë nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë vizitorë dhe turistë po i drejtohen vendit tonë, po i drejtohen Tiranës” tha ai.Objektivi i Bashkisë së Tiranës, tha Basha, është që turizmi në Tiranë të dyfishohet si industri deri në vitin 2015, përmes të cilës mund të krijohen jo më pak se 20 000 vende pune.“Tirana ka shumë për të ofruar dhe angazhimi im, që në fillim të marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë, ishte që Tirana të mos mbetej një pikë automatike e itinerarit të vizitorëve që vinin për të shijuar për shembull bregdetin apo malet, apo destinacionet e vjetra historike si Kruja, Berati, Shkodra por të kthehet në një destinacion të mirëfilltë turistik. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një ambicje apo me një dëshirë të lidhur me bukuritë poetike të Tiranës të cilat ju sapo i referuat, z. Zhiti. Kjo ka të bëjë me një objektiv shumë konkret, me krijimin e mundësive që turizmi në Tiranë të dyfishohet si industri deri në vitin 2015 apo thënë më shkoqur që deri më 2015, industria e turizmit, përmes aktivitetit të saj në Tiranë të mundësojë hapjen e jo më pak se 20 mijë vendeve të reja të punës, në vetë sektorin e saj dhe në të jgithë pjesët e tjera që tërheq pas zinxhir, restorante, hoteleri, biznesin e vogël, dyqanet e shumë e shumë të tjera. Ky është sot një objektiv shumë i arritshëm dhe ne kemi parë se si në qytet prej disa muajsh kanë filluar ture grupe turistësh nga Skandinavia, Kina, Japonia, Koreja, Amerika e Veriut dhe vende të tjera të BE. Sot, me këtë instrument ne u vijmë në ndihmë dhe bëjmë detyrën tonë si Bashki e Tiranës duke u ardhur në ndihmë këtyre operatorëve turistikë, për të bërë të mundur një organizim më të mirë të itenerarit turistik të Tiranës. Është një itenerar që dy vitet e fundit është thuajse trefishuar, p.sh me nxjerrjen në pah të vlerave historike, si këtu ku jemi ulur, themelet e vjetra të Kalasë së Tiranës apo tek Mozaiku i Tiranës por edhe me ndërtimin e pikave të tjera të referencës, siç është Memoriali i Shqiponjës, Memoriali i Shpalljes së Pavarësisë, Memoriali Post-Bllok dhe shumë e shumë pika të tjera të investuara edhe me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, por që ju siguroj, nuk do të mbetemi këtu” deklaroi Basha.Nxjerrja në pah e veprave, si memoriali i Shqiponjës, i Shpalljes së Pavarësisë etj së bashku me rivlerësimin e pikave turistike tradicionale të qytetit, sipas Bashës do të bëjnë që Tirana të jetë një prej destinacioneve turistike më të vizituara nga turistët.“Kemi plane dhe kemi futur tashmë në rrugën e investimit projekte të tjera të rëndësishme. Këtu ku ndodhemi, prapa nesh, prapa këtij muri ndodhet një kompleks që ka mbetur vetëm në fotot e vjetra historike apo në memoriet e pak qytetarëve që e kanë vizituar ndoshta për herë të fundit, 10-15 apo 20 vite më parë (nuk e di sa prej nesh e kanë vizituar dy vitet e fundit, kush e ka vizituar dy vitet e fundit, le të ngrejë dorën) Unë e kam vizituar për projektin por me sa shoh askush tjetër. Ka një arsye për këtë, pasi këtu ku ndodhet në fakt edhe kërthiza e Tiranës historike, të ashtuquajtura, kompleksi i kalasë së Toptanasve. Ne kemi në plan të rehabilitojmë plotësisht zonën historike, duke mundësuar që të gjithë objektet me vlerë historike të jenë të aksesueshme për publikun, t’i shërbejnë publikut përmes shërbimeve të tilla si kafe, restorant, dyqane souveniresh por jo vetëm kaq! Në bashkëpunim me pronarët dhe me investimin e Bashkisë së Tiranës, ne do të rindërtojmë aty me të gjithë parametrat më besnike të Institutit të Monumenteve të Kulturës një qendër të re e cila do të jetë e re për qytetin por do të jetë shprehëse e vlerave më autentike të kryeqytetit dhe do krijojë në vetvete mundësitë për punësimin e jo më pak se 500 qytetarëve të Tiranës. Pra, kjo pedonale do të kthehet jo thjesht në një shëtitore por në nëj rrugë që të çon diku, pikërisht tek kërthiza e këtij qyteti dhe mundëson përmes këtij itenerari pasurimin e shumëllojshëm të ofertës sonë turistike. Përmenda këtë projekt por kemi edhe projekte të tjera, rehabilitimin e sheshit “Avni Rustemi” i cili edhe sot ka një vlerë të kufizuar për qytetin por me projektin që ne do të vëmë në lëvizje me fondet e Bashkisë dhe qeverisë shqiptare do ta kthejmë në një pikë me po kaq vlera për industrinë turistike. Nuk do ndalojmë këtu! Ne do të pasurojmë me të tjera artifakte kulturore, artistike, monumentale, historike, çdo pjesë të kryeqytetit tonë dhe investimet që sot po shtrihen anembanë infrastrukturës ( përmend këtu edhe bulevardin e ri) do të kenë si pjesë integrale të zhvillimit të tyre edhe itinerarin peisazho-turistik të këtyre investimeve”përfundoi Basha.