Meta në Durrës:E rëndësishme një fitore solide për të vijuar reformat

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të LSI-së në Qarkun e Durrësit, Lefter Koka dhe Edmond Panariti, ka zhvilluar takime me qytetarët në këtë qark.Në fjalën e tij, Meta u shpreh se për LSI-në 23 qershori është shumë i rëndësishëm sepse fitorja duhet të jetë sa më solide pasi sipas tij vetëm kështu do të mund të bëhen reforma sa më solide për përmirësimin e jetës së qytetarëve.“Për ne si LSI është e rëndësishme jo vetëm fitorja sepse kjo është e padiskutueshme por një fitore sa më solide, në mënyrë që të kemi mundësi për të bërë reforma sa më të plota, të cilat do ta ndryshojnë shpejt situatën ekonomike dhe sociale në të gjithë vendin. Vota për LSI-në është një votë e mençur sepse është votë për zhvillimin e vendit. LSI ka treguar qartë që është një forcë koherente dhe që e ndihmon Shqipërinë të ecë më shpejt drejt zhvillimit dhe drejt Bashkimit Evropian”, tha  Meta.Meta tha se LSI ka programin më të qartë sepse programi i saj synon ristrukturimin e ekonomisë  duke identifikuar qartë burimet e kësaj rritjeje ekonomike.“Besoj se programi i LSI është programi më i qartë. Është një program i cili ka kapur thelbin e problemeve që ka vendi dhe thelbi kryesor me të cilin ndeshet shoqëria jonë është ristrukturimi i ekonomisë në mënyrë që të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe kjo vjen vetëm duke mbështetur prodhimin, duke ulur importet dhe duke rritur eksportet dhe nga gjithë kjo politikë padyshim do të përfitojë shumë porta kryesore e Shqipërisë në marrëdhënie me Evropën që është qyteti i Durrësit" tha Meta.Meta theksoi më tej se të gjitha politikat e programit të LSI-së synojnë drejt rritjes së punësimit.“Të jeni të sigurt që ne kemi një mundësi të shkëlqyer, bazuar dhe në programin tonë të punësimit, sidomos të krijimit të parqeve industriale që, në këto momente kur investitorët italianë duan të largohen nga vende të ndryshme të Evropës si pasojë e rritjes së madhe të taksave, të tërheqim shumë prej tyre duke u krijuar lehtësirat në Shqipëri, duke i përjashtuar edhe nga taksat për pesë vite, vetëm me një qëllim, që të rrisim vendet e reja të punës në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha Meta.