Basha inaguron rikonstruksionin e rrugës “Mujo Ulqinaku” dhe nisjen e ndërtimit të kopshtit nr.29
Me një investim prej 17,7 milionë lekësh ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Mujo Ulqinaku”, një ndër rrugët me problematike në zemër të Tiranës. Kjo rrugë ndihmon në lehtësimin e lëvizjes së mjeteve, duke kryer lidhjen mes rrugës së ”Kavajës” dhe rrugës ”Myslym Shyri” dhe rreth 1500 qytetarëve të zonës. Në këtë rrugë është kryer dhe spostimi i shtyllave të tensionit të ulët nga trupi i rrugës. Është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të dhe të zeza, janë vendosur 17 shtylla për ndriçimin rrugor si dhe është vendosur sinjalistika rrugore horizontale dhe vertikale.“Në total, në këtë lagje që është edhe zemra e Tiranës, ne po përfundojmë 5 rrugë të rëndësishme të cilat faktikisht janë lënë pas dore, për një kohë shumë të gjatë dhe janë kthyer për një kohë shumë të gjatë, jo vetëm në një vuajtje të vërtetë për automobilistët dhe për këmbësorët por edhe në një problem të vazhdueshëm për banorët, për shkak të mungesës së infrastrukturës nëntokësore” – u shpreh kreu i Bashkisë Lulzim Basha.Kryebashkiaku Basha tha se kjo zonë do të marrë një zhvillim më të madh, i prarashikuar në planin urbanistik, ku përveç dhënies së mundësisë për zhvillimin e pronës, do të mundësohet zgjerimi i shesheve të ndërtimit, këndeve të lojrave, etj.“Kthimi i vëmendjes me fonde dhe projekte, tek kjo zonë është fillimi i përmbushjes së një premtimi tjetër më të madh që ka të bëjë me realizimin e planit urban për të gjithë këtë zonë, përmes së cilit banorët e kësaj zone do të kenë mundësi të vjelin frytet e zhvillimit transparent dhe të drejtë të pronës së tyre. Kështu, hedhim edhe një hap tjetër, drejt një pjese tjetër të infrastrukturës që është zgjerimi i shesheve, këndeve të lojërave dhe infrastrukturës sociale, me kopshte, çerdhe dhe sipas nevojave, shkollë në këtë zonë. Duke prekur kënaqësinë e banorëve e duke shijuar bashkë me ta përfundimin e kësaj rruge, i siguroj se ky është vetëm fillimi i realizimit të shumë e shumë projekteve të tjera të cilat janë fryt i një besimi të ndërsjellë, i një fokusi total tek problemet e tyre dhe i një bashkëpunimi të sinqertë midis qytetarëve, Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë shqiptare” - deklaroi Basha.Basha nga njësia numër 3 ku ishte i pranishëm në fillimin e punimeve për rikonstruksionin e kopështit 29, premtoi se vetëm në dy vitet e ardhshme do të ndërtohen 10 cerdhe të reja.“Kam kënaqësinë që ndodhem në këtë inaugurim, sepse është i pari i këtij lloji, i ndërtimit nga fillimi të një kopshti, ndërkohë që Bashkia e Tiranës planifikon që vetëm me fondet e veta gjatë 2 viteve të ardhshme të ndërtojë edhe 10 kopshte të tjera të rinj anembanë qytetit dhe të dyfishojë bashkë me fondet e qeverisë shqiptare, numrin total të kopshteve që do u shërbejë vogëlushëve të qytetit, në përputhje me parashikimet e planit urbanistik dhe nevojat e qytetarëve të Tiranës” – deklaroi Basha.Kryetari i Bashkisë premtoi se investimet do të vazhdojnë ku prioritet do jetë infrastruktura ,për të cilën qyteti ka më shumë nevojë.