Meta në njësinë 8: Ne do t’i japim fund ankthit të legalizimeve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të LSI-së Dritan Ylli dhe Matilda Tyli, ka zhvilluar një takim banorët e njësisë bashkiake nr. 8 në Tiranë.Në fjalën e tij, Meta i siguroi të gjithë banorët se LSI-ja do t’i japë fund  ankthit të legalizimeve.“Është për të ardhur keq që Partia Demokratike që në vitin 2005 përpara zgjedhjeve premtoi legalizimet dhe pothuajse nuk ka bërë asgjë përveçse e ka vështirësuar e burokratizuar këtë proces, ua ka sjellë shpirtin njerëzve në majë të hundës dhe i ka lënë ata realisht ende peng të tekave dhe kapriçove të drejtuesve të caktuar të ALUIZNI-t, por në fund të fundit ky është rezultat i mungesës së vullnetit politik për të zgjidhur këtë çështje një herë e mirë. Ndaj unë dua t’iu siguroj për vendosmërinë e LSI-së për të zgjidhur menjëherë brenda pak muajve në qeverisjen e ardhshme çështjen e legalizimeve dhe për t’u dhënë të gjithë tapitë dhe certifikatat e pronësisë në duar”, tha Meta.Gjithashtu kreu I LSI-së theksoi se sot Shqipëria ka nevojë për t’u vënë në punë, shqiptarët kanë nevojë për punësim, kanë nevojë për një qeveri e cila nuk mund të jetë e vetëkënaqur dhe nuk mundet të tregojë histori që nuk kanë lidhje me realitetin që qytetarët përjetojnë çdo ditë.“Çështja kryesore me të cilët ne duhet të ndeshemi është ajo e rritjes ekonomike të vendit e rritjes së prodhimit në vend dhe përmes kësaj rritjeje, uljes së importeve dhe rritjes së eksporteve, zbutjes sa më të shpejtë të deficiti tregtar. Pra, garantimi i një ekonomie që rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurt, sepse vetëm kjo siguron bazën e një punësimi të sigurt dhe afatgjatë dhe vetëm kjo siguron mundësinë për të luftuar varfërinë edhe për shumë banorë të kësaj njësie edhe të kryeqytetit dhe të Shqipërisë” tha Meta.