Bumçi në në Dubrovnik: TAP i ka të gjitha shanset për të qenë fitues
Ministri i Punëve të Jashtme Aldo Bumçi mori pjesë në Ministerialin e Dubrovnikut, në mbështetje të gazsjellësve Trans Adriatik- TAP dhe Joniano Adriatik -IAP. Në këtë takim morën pjesë edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.
Ministeriali u zhvillua në vijim të Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për Ndërtimin dhe Operimin e Gazsjellësit Trans Adriatic (TAP), dhe Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për Mbështetjen dhe Bashkëpunimin në realizimin e projekteve TAP dhe IAP.
Në përfundim të këtij takimi Ministrat dolën me një deklaratë të përbashkët, për të treguar angazhimin e fortë politik dhe mbështetjen e plotë të tyre për Gazsjellësin Trans Adriatik. Ministri Bumci duke vleresuar rëndësinë e këtij projekti, theksoi edhe njëherë se TAP-i ka të gjitha shanset për të fituar këtë garë.“Ky rajon, me dinamizmin e tij, sjell një vlerë e shtuar dhe shërben si një destinacion i shtuar i tregut për furnizimin me gaz të këtij gazsjellësi, dhe si rrjedhojë, paraqet një potencial të jashtëzakonshëm për vitet e ardhshme.Ne të gjithë besojmë dhe shpresojmë se TAP-i ka të gjitha shanset për të fituar këtë garë. Ne jemi këtu, përsëri, për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme kundrejt dy projekteve TAP dhe IAP, dhe në të njëjtën kohë për të forcuar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer, në një fushë që konsiderohet me prioritet të lartë nga të gjitha qeveritë tona. Ne gjithashtu jemi të inkurajuar nga qasja e vazhdueshme dhe mjaft konstruktive e partnerëve tanë, Komisionit Evropian, SHBA-së, Turqisë dhe Azerbajxhanit. Ndërsa, me rinovimin e angazhimit tonë përmes Deklaratës së Përbashkët me përfaqësuesit e të gjitha këtyre vendeve mike, ne shpresojmë se vendimmarrësit do të marrin parasysh jo vetëm faktin se TAP është më i realizueshëm në aspektin teknik, por gjithashtu gëzon një mbështetje politike të fortë e të bashkërenduar. Së fundi, do të doja të theksoja se, sigurisht, realizimi i këtyre projekteve do të ketë një ndikim të madh ekonomik, si për konsumatorët ashtu edhe për investitorët. Ne sigurojmë partnerët tanë për qëllimet tonë më të mira për realizimin me sukses të këtyre projekteve, duke respektuar të gjitha rregullat e përbashkëta mbi të cilat është rënë dakord, dhe në të njëjtën kohë duke i falënderuar ata për komunikimin e shkëlqyer dhe bashkëpunimin që kemi pasur në këtë rrugëtim”.TAP është planifikuar të transportojë gazin e Azerbajxhanit nga Greqia për në Itali nëpërmjet Shqipërisë - si një pjesë integrale e Korridorit Jugor të Gazit dhe kjo rrugë, thuhet në deklaratën e përbashkët, është alternativa më e favorshme nga ana tregtare.