Dhunoi kandidatin e FRD në Fier, arrestohet autori. Policia: Jo për motive politike
Tre ditë pas dhunimit të kandidatit për deputet të FRD në qarkun e Fierit, arrestohet edhe i dyshuari si autor i ngjarjes së rëndë. Mbrëmjen e sotme policia e Fierit ka vënë në pranga shtetasin Eugen Çaushi, 29 vjeç, banues në Roskovec. Sipas policisë Çaushi e ka kërcënuar edhe më parë kandidatin për deputet të FRD-së, Mit’hat Hoxha, ndërsa nga të dhënat e para theksohet se ngjarja e ndodhur nuk ka pasur motive politike.Incidenti u regjistrua 3 ditë më parë në Roskovec, rreth orës 23:00, ku Mit’hat Hoxha është sulmuar me mjete të forta nga persona të paidentifikuar. Ai është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të qytetit të Fierit, ndërsa më pas u transportua drejt Spitalit Amerikan për mjekim më të specilaizuar.Ndërkaq bashkëshortja e zotit Hoxha, në deklaratën dhënë për mediat pretendonte se ngjarja kishte motive politike. Ajo shprehet se i shoqi që në momentin që po kandidon si deputet në këtë zonë ka marrë vazhdimisht kërcënime për jetën, madje ka bërë dhe denoncim në polici.