AP në Korçë, Dojaka: Mbështetje të vazhdueshme për rininë
Në vijim të turit disa ditor elektoral në juglindje të vendit, kryetari i Aleancës Popullore, Artur Dojaka është ftuar në një takim të forumit rinor të Aleancës Popullore në Korçë.Duke i falenderuar të rinjtë korçarë për ftesën dhe prezencën në sallën e teatrit “Andon Zako Cajupi”, Dojaka premtoi mbështetje të vazhdueshme për të rinjtë në të gjitha qarqet e vendit.
Dojaka lexoi në sallë disa letra përshëndetëse për Aleancën Popullore nga të rinj brenda dhe jashtë vendit, ku spikati një mesazh nga Tivari.
“Gjatë kësaj fushate kam mbajtur shumë fjalime, kam bërë shumë biseda, por sot duhet të ndaj një letër, e cila i ka ardhur zyrës sonë të shtypit në Tiranë. Më lejoni të lexoj disa rreshta nga kjo letër e cila vlen për të gjitha fjalimet e mia. Na është dërguar nga një shqiptar nga Tivari që ndodhet në Durrës. Kjo është edhe arsyeja pse unë nuk dua të bëj një bashkëbisedim fushate, por të tregoj se sa ja ka arritur Aleanca Popullore bashkimit të zemrave të gjithë shqiptarëve të kudondodhur. Nga kjo foltore dua të falënderoj përzemërsisht bashkëqytetarin tonë Gjok Dabaj, të cilin nuk kam pasur fatin ta njoh personalisht, për atë çka ndau me ne. E falënderoj për arsye se Gjoka është një nga produktet e para të Aleancës Popullore, të bashkimit të mbarë popullit shqiptar në një kauzë të drejtë, e cila është kauza çame, dhe kjo e mbështetur nga të gjithë shqiptarët e kudondodhur. Është një kohë fushate intensive, unë e shikoj edhe këtu mes jush, mes rinisë korçare. Ne kemi bërë nga forumi rinot edhe zgjedhjen e kandidatit për të kryesuar listat e qytetit të Korçës. Nuk dua t’i jap kuotacion fushate këtij takimi tonë spontan në Korçë, por dua që edhe njëherë të përqendrohemi në vazhdimin e fushatës sonë të suksesshme për të arritur ato qëllime që i kemi vetes, të cilat tashmë janë të deklaruara kudo. Aleanca Popullore do ketë 4 mandate deputetësh në mbarë Shqipërinë. Falënderoj gjithë rininë korçare e cila është pjesë e Aleancës Popullore në Qarkun e Korçës, e falënderoj për iniciativën e saj. Ne gjithmonë do ta mbështesim, ne do jemi krah rinisë si tani ashtu edhe pas 23 qershorit”, - u shpreh kreu i AP-së, Artur Dojaka.Në takimin e Forumit Rinor të AP-së ka përshëndetur edhe kryesuesi i listës së deputetëve të Aleancës Popullore në Korçë, Stilian Belishta, i cili duke u ndalur te problemet e sotme jo vetëm të rinisë por mbarë shqiptarëve, u bëri atyre thirrje që të votojnë numrin 3, për të ardhmen e tyre dhe për çështjen kombëtare çame.